Nuk kanë deputetët për të miratuar projektligjet, mazhoranca shtyn seancën për në orën 18:30 për votimin

Pas rikthimit në seancën e Kuvendit për herë të katërt për shkak të ndërprerjeve dhe tensioneve, deputeti Balla propozoi në emër të PS mbylljen e diskutimeve, për shkak të pamundësisë së vijimit të saj dhe kalimit të saj në votim.

Opozita kundërshtoi përsëri duke bllokuar Foltoren e Kuvendit, kurse Peleshi u shpreh se i kishte ftuar kryetarët e grupeve parlamentare, por ata të opozitës nuk ishin paraqitur.

Me shumicë votash nga mazhoranca u votua me 79 vota pro dhe dy kundër për miratimin e ndërprerjes së diskutimeve dhe kalimin direkt në votim. Interpelancat u konsideruan të ezauruara dhe do kalohej direkt te votimi i projektligjeve në rend dite.

Pas rikthimit në sallë, seanca nisi me një propozim të ri të kreut të grupit të PS, taulant Balla, pasi disa nga projektligjet kërkonin shumicë të cilësuar.

“Zoti kryetar i Kuvendit, për shkak se sot kemi votime me numër të cilësuar dhe për shkak të deputetëve që kërkojnë kohë për të ardhur, propozoj që votimi të rifillojë në porën 18:30”, tha Balla.

Kjo solli reagimin e fortë të deputetëve të opozitës që kërkuan llogari pse po shtyhej votimi dhe seanca.

Me 77 vota pro dhe asnjë kundër apo abstenim, u vendos që në orën 18:30 të votohej në seancën e Kuvendit për pikat e tjera të rendit të ditës, kryesisht projektligjet, mes tyre Amnistia Penale dhe Kodi Rrugor.