SYRI TV/ Balla flet në gjuhën e Bajrave, kërcënon Koçekun: Moskallëzimi i krimit, vepër penale

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka kërcënuar në të njëjtën gjuhë me atë të Bajrave, deputeten Marjana Koçeku. Balla deklaroi se moskallëzimi i krimit është vepër penale, duke mbajtur të njëjtin qëndrim si avokati i Bajrave.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka folur në gjuhën e Bajrave, dhe avokatit të tyre, duke kërcënuar deputeten Marjana Koçeku.

Teksa Koçeku denoncoi kërcënimin e saj dhe të familjarëve nga banda e bajrave, avokati i tyre paralajmëroi kallëzim penal për deputeten me pretendimin se u kishte prishur imazhin klientëve të tij, sot Taulant Balla përsëriti të njëjtin qëndrim, duke akuzuar Koçekun se ka kryer vepër penale.

Pak ditë më parë, Marjana Koçeku, e dalë nga listat e Partisë Socialiste, njoftoi ndarjen e saj nga grupi parlamentar socialist duke thënë se do të jetë deputete e pavarur. Në rrjetet sociale, ajo akuzoi Bajrat se po kërcënojnë familjen e saj, ndërsa u distancua edhe nga qëndrimi i kryeministrit Edi Rama i cili verën e shkuar urdhëroi një aksion për prishjen e bujtinave në Theth.