‘Metamorfoza', GJKKO dënon me 6 vite burg Pëllumb Gjokën

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shpallur këtë të enjte vendimin për dy nga emrat kryesorë të dosjes voluminoze “Metamorfoza”, biznesmenin Pëllumb Gjoka dhe ish-shefin e policisë, Ardit Hasanbegaj.

Biznesmeni Pëllumb Gjoka është deklaruar fajtor për një sërë akuzash të rënda, përfshirë “sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” në dëm të shtetasve Kleanthi Musabelliu, Dorjan Duli dhe Ibrahim Lici. Gjithashtu, ai u gjet fajtor për “korrupsion aktiv të funksionarëve të drejtësisë” dhe pjesëmarrje në “grup të strukturuar kriminal”.

Gykata e dënoi fillimisht Gjokën me 9 vite burgim, por për shkak të përfitimit nga gjykimi i shkurtuar (ulja e 1/3 së dënimit), masa përfundimtare u caktua në 6 vite burg në një burg të sigurisë së lartë. Nga ana tjetër, togat e zeza e deklaruan atë të pafajshëm për akuzën e “armëmbajtjes pa leje”.

Ndaj ish-zyrtarit të policisë, Ardit Hasanbegaj, rënduan akuzat për sigurimin e kushteve për vrasjen e Dorjan Dulit dhe Ibrahim Licit, si dhe pjesëmarrja në grupin e strukturuar kriminal.

GJKKO e dënoi Hasanbegajn me 7 vite e 6 muaj burgim. Pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar, dënimi i tij zbret në 5 vite burg të sigurisë së lartë.