Letra prekëse e talentit të Bregut të Fildishtë për motrën e ndjerë: Nëse takoj Ronaldon, do ta përshëndes për ty

Një nga historitë më emocionuese të Botërorit 2026 vjen nga kampi i Bregut të Fildishtë. Talenti 19-vjeçar, Yan Diomande, ka publikuar një letër prekëse kushtuar motrës së tij, Roxane, e cila ndërroi jetë në moshën 15-vjeçare.

Mesfushori ofensiv i Leipzigut rikujtoi fëmijërinë e tyre të vështirë, kur ëndërronte të bëhej futbollist. Ai tregoi se dikur kishte një fanellë të falsifikuar të Cristiano Ronaldos, mbi të cilën kishte shkruar vetë me marker emrin dhe numrin e idhullit të tij.

Në letër, Diomande kujton edhe refuzimet e shumta që mori gjatë provave te klube të ndryshme në Evropë. Ai rrëfen se provoi te skuadra si Bournemouth, Chelsea, Rangers, Olympiacos dhe Crystal Palace, por askush nuk i dha një mundësi. Madje, pas skadimit të vizës, u detyrua të kthehej në Afrikë, duke menduar se ëndrra e tij kishte marrë fund.

“Ti ishe personi që nuk pushoi kurrë së besuari tek unë”, shkruan ai për motrën e tij. Më vonë erdhi mundësia te Leganés, ku nisi ngritja e tij në futbollin profesionist. Por lumturia u kthye shpejt në dhimbje, pasi pak javë pas debutimit kundër Real Madridit, ai mori lajmin tragjik për vdekjen e Roxane.

“Që kur ti u largove nga kjo botë, ndihem bosh. Është sikur nuk jam më njeri”, shkruan futbollisti, duke treguar plagën e madhe që vazhdon të mbajë në zemër.

Sot, në moshën 19-vjeçare, Diomande po jeton ëndrrën e Botërorit me kombëtaren e Bregut të Fildishtë, duke ndjekur gjurmët e legjendave si Didier Drogba, Yaya Touré dhe Gervinho.

Mesazhi më prekës i letrës lidhet me premtimin që ai i bën motrës së tij: “Ti gjithmonë u thoje të gjithëve se një ditë do të bëhesha futbollisti më i mirë në botë. Do të bëj gjithçka për të të vërtetuar se kishe të drejtë. Dhe nëse një ditë takoj Ronaldon, do ta përshëndes për ty.”

Një histori dhimbjeje, sakrifice dhe dashurie familjare, që tregon anën më njerëzore të futbollit në skenën më të madhe të tij.