Jim VandeHei: Të shkruash me AI

Shumë pak përdorime të inteligjencës artificiale ngjallin aq debat sa shkrimi. Kritikat janë të njohura: përdorimi i AI-së e bën shkrimin më të mërzitshëm, më të varfër në ide dhe më mekanik. Ajo vret mendimin kritik, kreativitetin dhe origjinalitetin, duke prodhuar tekste të ngjashme dhe pa identitet.

Por e vërteta është se kjo ndodh vetëm nëse mësuesi, studenti apo autori e lejon të ndodhë. Kur përdoret si një zëvendësues i mendimit, AI nxit dembelizmin intelektual. Kur përdoret me këmbëngulje dhe aftësi, ajo mund të përmirësojë si mënyrën e të menduarit, ashtu edhe mënyrën e të shkruarit.

Sot mendoj dhe shkruaj më shumë e më mirë se kurrë më parë. Megjithatë, dua të jem i sinqertë për atë që kam mësuar dhe për kufijtë që kam hasur që kur e ktheva veten në një lloj ‘kavie laboratorike’ për inteligjencën artificiale.

Paralajmërimi i parë është i thjeshtë: jam 55 vjeç, jam formuar si shkrimtar dhe kam hyrë në këtë botë i vetëdijshëm për rreziqet e AI-së. Shkruaj shumë me ose pa ndihmën e saj. Kushdo që ia delegon mendimin dhe shkrimin inteligjencës artificiale po luan me zjarrin. Rreziku është të krijosh një mendje të plogësht dhe pa thellësi. Qëllimi duhet të jetë ndërtimi i një mendjeje të fuqizuar, jo i një mendjeje të zëvendësuar.

Paralajmërimi i dytë vjen nga bashkëshortja ime, Autumn, e cila është më skeptike ndaj AI-së. Ajo më kujton se nuk duhet të ngatërrojmë shkrimin si mjet për të transmetuar informacion me atë që mund të quhet ‘shkrim me shpirt’, të cilin shumë njerëz e kanë të domosdoshëm për të kuptuar veten dhe botën që i rrethon. Për ta, të jetosh pa këtë proces është si të përpiqesh të jetosh pa ajër.

Ndërsa mjetet e inteligjencës artificiale bëhen gjithnjë e më të fuqishme, transparenca mbi mënyrën se si përdoren bëhet thelbësore. Për këtë arsye, është e rëndësishme të ndajmë praktikat më të mira që po mësojmë gjatë rrugës.

Një nga rregullat më të rëndësishme është që standardet t’i vendosë autori, jo inteligjenca artificiale. Në kujtesën e modeleve që përdor kam shkruar qartë: mendimi është imi, ndaj dua që AI të më sfidojë, jo të më përkëdhelë. Dua skepticizëm të mençur, jo miratim automatik.

Po aq e rëndësishme është të jesh shumë i saktë për stilin e shkrimit dhe redaktimit. Kam vendosur rregulla të qarta: fjali të shkurtra dhe të drejtpërdrejta, fokus te faktet, theksim i kontekstit dhe organizim i argumenteve sipas rëndësisë.

Një tjetër sekret është furnizimi i AI-së me shembuj të punës suaj më të mirë. Mund të jenë ditarë personalë, memo pune, projekte shkollore apo artikuj. Sa më shumë të kuptojë mënyrën tuaj të të shkruarit, aq më mirë mund t’ju ndihmojë.

Për shumicën e njerëzve, këto rregulla bazë janë të mjaftueshme. Por unë kam zgjedhur të eksploroj më tej kufijtë e teknologjisë.

Kam krijuar projekte dhe agjentë të specializuar, ku përfshihen udhëzime të detajuara për verifikimin e fakteve, analizën e të dhënave dhe stilin tim të të shkruarit. Këta agjentë më ndihmojnë të kontrolloj informacionin, të organizoj idetë dhe të gjej burime të reja.

Sa më shumë ndërvepron me këto mjete, aq më mirë ato kuptojnë stilin tënd. Me kalimin e kohës krijohet një lloj bashkëpunimi ku përmirësohen si rezultatet e AI-së, ashtu edhe aftësitë e autorit.

Laboratori im personal është buletini që publikoj për drejtues biznesesh. Kam krijuar sisteme që analizojnë vazhdimisht publikime cilësore, kërkime dhe projekte me të dhëna, duke më sugjeruar ide të reja për artikuj. Materialet që prodhojnë janë një pikënisje e vlefshme, por asnjëherë nuk janë gati për botim pa ndërhyrjen time.

Në fakt, inteligjenca artificiale shpesh shkruan në një mënyrë që i ngjan stilit tim: e drejtpërdrejtë, e përmbledhur dhe e organizuar. Shpesh redaktimet e saj janë të shkëlqyera, ndonëse ende bën gabime dhe tenton të jetë më e gjatë dhe më pak e qartë sesa do të doja.

Eksperimenti më i fundit ka qenë përdorimi i bisedave zanore me AI gjatë stërvitjeve për ngjitjen në Kilimanxharo. Gjatë ecjeve të gjata diskutoj idetë e mia, ndërsa sistemi mban shënime, nxjerr në pah frazat më të mira, sfidon supozimet e mia dhe më ndihmon të organizoj mendimet. Më pas, përmes dialogut të vazhdueshëm, krijohet një draft i parë i artikullit.

Rezultati përfundimtar është një kombinim i mendimeve të mia, frazave të mia më të mira dhe redaktimit në kohë reale nga inteligjenca artificiale.

Në fund të fundit, shpresoj që këto përvoja t’i nxisin edhe të tjerët të eksperimentojnë me inteligjencën artificiale, jo si zëvendësuese të mendimit, por si një mjet për ta zgjeruar dhe përmirësuar atë. /Axios/