Fushë Arrëz/ Dhunohet çifti i bashkëshortëve, identifikohet një person dhe shpallen në kërkim të tjerë
Një ngjarje e rëndë u regjistrua dje në Fushë Arrëz, ku një çift bashkëshortësh është dhunuar fizikisht nga disa persona.
Policia ka identifikuar një prej të dyshuarve dhe e ka shpallur në kërkim, ndërsa po vijon puna për identifikimin e katër shtetasve të tjerë që dyshohet se janë të përfshirë në ngjarje.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur në fshatin Arst, ku autorët dyshohet se u kanë zënë pritë në rrugë Skënder Nikës dhe Bardhe Nikës. Më pas, ata kanë ushtruar dhunë fizike ndaj çiftit.
Burime bëjnë me dije se në kërkim është shpallur Kristian Bala, i cili dyshohet se ka kërcënuar edhe djalin e çiftit Nika gjatë konfliktit.
Nga hetimet e deritanishme, dyshohet se shkak i përplasjes është bërë konflikti për ndarjen e territoreve të shfrytëzuara për mbledhjen e dredhëzave.
Policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.