Javier Bardem shkruan histori në Hollywood, bëhet spanjolli i parë që lë gjurmët në TCL Chinese Theatre

Aktori i njohur spanjoll Javier Bardem ka hyrë në historinë e Hollywood-it, duke u bërë spanjolli i parë që lë gjurmët e duarve dhe këmbëve në çimenton legjendare të TCL Chinese Theatre.

Ceremonia u zhvillua në zemër të Hollywood-it, përpara një prej kinemave më ikonike në botë, ku prej dekadash nderohen vetëm emrat më të mëdhenj të industrisë së filmit. Me këtë vlerësim, Bardem futet në një listë elitare artistësh ndërkombëtarë që kanë lënë gjurmë fizike në historinë e kinemasë.

Ky nderim vjen si një tjetër moment i rëndësishëm në karrierën e tij, pasi më herët, në vitin 2012, ai ishte nderuar edhe me një yll në Hollywood Walk of Fame.

Në ceremoninë festive morën pjesë emra të njohur të Hollywood-it si Denis Villeneuve, Michael Mann dhe Jerry Bruckheimer, ndërsa aktori u shoqërua edhe nga familjarët e tij.

Në fjalimin e tij emocionues, Bardem nuk fshehu mirënjohjen, duke i kushtuar një pjesë të veçantë familjes dhe trashëgimisë së tij artistike, veçanërisht nënës së ndjerë, Pilar Bardem.

“Unë nuk jam asgjë më shumë se një përfaqësues i këtij mbiemri”, u shpreh aktori, mes duartrokitjeve të të pranishmëve.

Ky vlerësim e forcon edhe më shumë statusin e Javier Bardem si një nga aktorët më të suksesshëm dhe më të vlerësuar në kinemanë botërore.