Zyrtare/ Konaté është lojtar i Real Madridit, Mourinho merr mbrojtësin gjigant
Mbrojtësi francez, Ibrahima Konaté, është zyrtarisht lojtar i Real Madridit. Futbollisti ka përfunduar kontratën e tij me Liverpoolin dhe është transferuar te klubi madrilen si lojtar i lirë, duke firmosur një marrëveshje deri në vitin 2030.
Konaté, i lindur në Paris në vitin 1999, bëhet kështu lojtari i dytë që kalon nga Anfield në ‘Santiago Bernabéu’ brenda më pak se dy viteve, pas rrugës së ndjekur më parë nga Trent Alexander-Arnold.
Mbrojtësi francez kishte qenë edhe më herët në radarët e Real Madridit, por këtë herë transferimi u konkretizua, duke e përforcuar repartin që ka pasur më shumë probleme në sezonet e fundit. Dëmtimet në qendër të mbrojtjes kanë detyruar disa trajnerë të klubit madrilen të improvizojnë me lojtarë të tjerë në atë pozicion.
Me transferimin etij , Real Madridi siguron një mbrojtës fizikisht të fortë, me përvojë të madhe në nivele të larta. Konaté ka mbi 100 ndeshje në Premier League, 36 ndeshje në Champions League dhe afro 30 paraqitje me kombëtaren e Franca.
I njohur për fizikun e tij dominues (1.94 m), shpejtësinë dhe forcën në duele, ai konsiderohet një nga mbrojtësit më të fortë në Angli. Në sezonin e fundit ai ka spikatur si një nga mbrojtësit me numrin më të madh të dueleve të fituara dhe ndërhyrjeve mbrojtëse në Premier League.
Profili i tij është i orientuar më shumë drejt ndërhyrjeve dhe mbulimit të hapësirave sesa ndaj lojës me pasime të rrezikshme. Ai dallohet për aftësinë në duelet një kundër një, mbrojtjen në hapësirë dhe lojën ajrore, ku është shumë i fortë.
Konaté njihet gjithashtu për bashkëpunimin e tij të ngushtë me Alexander-Arnold në Liverpool, ku shpesh mbulonte hapësirat e lëna nga ngritjet e anglezit në sulm. Kjo pritet të përsëritet edhe në sistemin e Real Madridit.