Armando Broja në ‘radarët’ e klubit italian, ja pse mund të arrihet marrëveshja
Cagliari po shikon me kujdes mundësitë për të përforcuar repartin ofensiv dhe një nga emrat që ka dalë në listë është ai i sulmuesit shqiptar, Armando Broja.
Sulmuesi 24-vjeçar nuk ka kaluar një sezon të lehtë, pasi ka shënuar vetëm një gol në aventurën e fundit me Burnley, ekip që përfundoi edhe me rënie nga kategoria. Pavarësisht kësaj, Broja mbetet një profil interesant në treg për shkak të fizikut të tij të fortë dhe potencialit që ka treguar në periudha të ndryshme të karrierës.
Në të kaluarën, sulmuesi shqiptar ka qenë edhe në orbitën e klubeve të mëdha si Milani, ndërsa është rritur futbollistikisht te Chelsea, ku ka kaluar pjesën më të madhe të formimit të tij profesional.
Statistikat e tij në Premier League dhe në Eredivisie tregojnë një sulmues ende në kërkim të konsistencës: 9 gola në 100 ndeshje në kampionatin anglez dhe 10 gola në kampionatin holandez. Megjithatë, profili i tij fizik dhe aftësia për të luajtur si qendërsulmues klasik vazhdojnë ta bëjnë një opsion të vlefshëm për skuadra që kërkojnë forcë dhe thellësi në sulm.
Karriera e Brojës është ndikuar gjithashtu nga dëmtimet, përfshirë këputjen e ligamentit të kryqëzuar në gjurin e djathtë në vitin 2022, një problem që ka ndikuar në vazhdimësinë e tij.
Sulmuesi shqiptar përfaqësohet nga agjencia Team Raiola, e cila ka në përfaqësim edhe disa lojtarë të tjerë brenda strukturës së Cagliari-t. Ky fakt mund të lehtësojë negociatat në rast se klubi italian vendos të bëjë hapa konkretë për transferimin.
Për momentin, Cagliari po vlerëson të gjitha opsionet për repartin e avancuar, ndërsa emri i Armando Brojës mbetet një nga pistat më interesante në këtë fazë të merkatos.