Schmeichel sulmon Martinezin: Po e shpërdoron brezin e Portugalisë siç bëri me Belgjikën

Barazimi 1-1 i Portugalisë ndaj Republikës Demokratike të Kongos në ndeshjen hapëse të Botërorit 2026 ka sjellë kritika të forta ndaj trajnerit Roberto Martínez. Një nga zërat më të ashpër ka qenë legjenda daneze, Peter Schmeichel, i cili akuzoi teknikun spanjoll se po shpërdoron potencialin e jashtëzakonshëm të Portugalisë.

Ish-portieri i njohur, që në të kaluarën ka luajtur edhe për Sportingun e Lisbonës, bëri një krahasim të drejtpërdrejtë me periudhën e Martinezit në krye të Belgjikës.

“Roberto Martinez duhet të jetë një nga trajnerët më zhgënjyes të këtij Botërori deri tani. Ai shpërdoroi brezin e artë të Belgjikës dhe tani duket se e njëjta gjë po ndodh me Portugalinë”, deklaroi Schmeichel.

Danezi kritikoi veçanërisht zgjedhjet taktike të trajnerit dhe faktin që lojtarë si João Félix dhe Rafael Leão e nisën ndeshjen nga stoli.

“Si është e mundur të lësh në stol lojtarë si João Félix dhe Rafael Leão, ndërkohë që vazhdon të mbash një sistem që qartësisht nuk funksionon? Portugalia ka shumë talent në sulm për t’u dukur kaq e parashikueshme dhe kaq e kujdesshme”, u shpreh ai.

Sipas Schmeichel-it, problemet e Portugalisë nuk kufizohen vetëm në repartin ofensiv. Ai beson se skuadra po vuan në të gjitha fazat e lojës.

“Taktikat e tij janë tepër konservatore. Sulmi ka mungesë krijimtarie, mesfusha shpesh duket e shkëputur dhe zëvendësimet zakonisht vijnë shumë vonë për të ndryshuar rrjedhën e ndeshjes”, analizoi ish-portieri.

Ai shtoi se barazimi ndaj Republikës Demokratike të Kongos duhet të shërbejë si një sinjal alarmi për Portugalinë, e cila konsiderohet një nga skuadrat me përbërjen më cilësore në Botërorin 2026.

Në fund të analizës së tij, Schmeichel lëshoi edhe një paralajmërim të fortë: “Portugalia ka një nga skuadrat më të forta të turneut, por nuk po luan as afër potencialit të saj të vërtetë. Nëse gjërat nuk ndryshojnë shpejt, Portugalia mund të humbasë një tjetër mundësi të artë për të fituar Kupën e Botës.”

Kritikat e Schmeichelit pasqyrojnë pakënaqësinë në rritje rreth kombëtares portugeze, e cila tashmë është nën presion për të reaguar në ndeshjet e ardhshme të Botërorit.