Hillary Clinton: Kandidimi i dytë i Biden-it për president ishte një gabim i tmerrshëm
Hillary Clinton e përshkroi vendimin e Joe Biden-it për të kandiduar për një mandat të dytë presidencial në SHBA si një “gabim të tmerrshëm” që u kushtoi demokratëve zgjedhjet e vitit 2024.
Ish-kandidatja demokrate për presidente në vitin 2016 dhe ish-sekretarja amerikane e Shtetit tha të hënën, në një aktivitet në Nju Jork, se Biden kishte tradhtuar partinë e tij kur u tërhoq nga premtimi për të mos kandiduar sërish.
“Ai bëri një gabim të tmerrshëm për veten, për trashëgiminë e tij politike dhe për vendin,” tha ajo.
Clinton tha se Biden duhej të kishte njoftuar në verën e vitit 2023 se nuk do të kandidonte për rizgjedhje, duke i dhënë mundësi një gare më të fortë brenda Partisë Demokratike. Në vend të kësaj, ai bëri “një keqllogaritje të tmerrshme”, tha ajo.
“Nëse do t’i ishte përmbajtur atij plani dhe do të kishte thënë në fund të verës së vitit 2023 se nuk do të kandidonte, se do t’ia kalonte stafetën brezit të ardhshëm, do të kishim pasur një garë të vërtetë,” tha ajo.
“Kushdo që do të dilte fitues nga ajo garë, qoftë zëvendëspresidentja, një guvernator, një senator apo dikush tjetër, do ta kishte mundur DonaldTrump-in.”
Shqetësimet për shëndetin e Biden-it
Biden shërbeu si president nga viti 2021 deri në vitin 2025, pasi fitoi zgjedhjet që Trump pretendoi se i ishin vjedhur.
Biden u tërhoq përfundimisht nga gara e dytë zgjedhore kundër Trump-it në korrik të vitit 2024, pas muajsh thashethemesh për shëndetin e tij, të cilat e shtynë Trump-in t’i vinte nofkën “Joe gjumashi”.
Goditja përfundimtare ishte një paraqitje katastrofike në debat, gjatë së cilës bashkëshortja e tij, Jill Biden, kishte frikë se ai po pësonte një goditje në tru.
Më pas, Biden ia kaloi kandidaturën Kamala Harrisit, zëvendëspresidentes së tij. Harris kishte pak më shumë se tre muaj kohë për të bërë fushatë para humbjes së saj në nëntor.
Clinton, bashkëshorti i së cilës, Bill Clinton, ishte president nga viti 1993 deri në vitin 2001, i bëri këto komente pas publikimit të një raporti demokrat që analizonte humbjen e vitit 2024.
Raporti prej 192 faqesh zbuloi se Harris humbi mbështetjen e grupeve kyçe demografike, përfshirë latinët, burrat dhe votuesit ruralë.
“Harris e shpërfilli Amerikën rurale, duke supozuar se epërsia në zonat urbane dhe periferike do ta kompensonte këtë,” thuhej në raport, i cili shtonte se partia duhet të fokusohet më pak te “çështjet abstrakte dhe politika e identitetit”.
Megjithatë, raporti u kritikua sepse pothuajse nuk përmendte ndikimin e vendimit të Biden-it për të kandiduar, si edhe nuk trajtonte reagimin e krahut të majtë ndaj asaj që u perceptua si heshtja e demokratëve për shkatërrimin e Gazës nga Izraeli.
Way to Win, një institut kërkimor me prirje të majta, arriti në përfundimin se lëvizjet në mbështetje të Palestinës nuk ishin në përputhje me qëndrimet e partisë dhe se votuesit kërkonin ndryshime ekonomike. – The Telegraph – Syri.net