'Mesazh për botën'/ SHBA rrit shpenzimet e mbrojtjes në 1.5 trilion dollarë
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka deklaruar se vendimi i Shteteve të Bashkuara për të rritur shpenzimet e mbrojtjes në 1.5 trilion dollarë për vitin fiskal 2027 përbën një “mesazh të qartë për botën” mbi angazhimin ushtarak të Uashingtonit.
Gjatë një takimi me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, Hegseth theksoi se forcimi i mbrojtjes nuk është vetëm një premtim politik, por një veprim konkret.
“Përmirësimi nuk është vetëm diçka që po themi, është diçka që po bëjmë edhe përmes mënyrës se si veprojmë. Një investim prej 1.5 trilionë dollarësh në mbrojtjen tonë në vitin fiskal 2027 është një mesazh për botën”, deklaroi ai.
Sipas dokumenteve qeveritare amerikane, buxheti i mbrojtjes për vitin fiskal 2026 ishte pak më pak se 1 trilion dollarë, duke shënuar kështu një rritje të konsiderueshme për vitin pasardhës.
Hegseth bëri të ditur se fondet shtesë do të përdoren për zgjerimin e kapaciteteve ushtarake të SHBA-së, forcimin e industrisë së mbrojtjes dhe ndërtimin e asaj që ai e quajti “arsenali i lirisë”. Një pjesë e investimeve, sipas tij, do të shërbejë gjithashtu për të mbështetur NATO-n dhe aleatët e saj.
Deklaratat vijnë në një kohë kur administrata e presidentit Donald Trump po rrit ndjeshëm investimet në mbrojtje, duke sinjalizuar një forcim të mëtejshëm të kapaciteteve ushtarake amerikane pas tensioneve dhe konfliktit me Iranin.