Humb jetën në Spitalin e Traumës 53-vjeçari i plagosur në aksidentin tragjik në Funarë të Librazhdit
Një aksident i rëndë rrugor i ndodhur në fshatin Funarës të Librazhdit ka marrë përmasa tragjike, pasi ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë 53-vjeçari Luan Çota, i cili mbeti i plagosur rëndë pas daljes nga rruga të automjetit me të cilin po udhëtonte.
Ngjarja ndodhi pasditen e së hënës, pranë qendrës së fshatit Funarës, në Njësinë Administrative Orenjë, Bashkia Librazhd. Sipas të dhënave paraprake, automjeti drejtohej nga Besnik Laçku, i cili dyshohet se po lëvizte me shpejtësi, kur në rrethana që ende po hetohen humbi kontrollin mbi mjetin.
Si pasojë, automjeti doli nga rruga dhe u përplas disa herë me pemët anës saj, duke shkaktuar dëmtime të rënda te dy personat që ndodheshin në të.
Përplasja ka qenë tepër e fortë. Pasagjeri Luan Çota, 53 vjeç, pësoi plagë të shumta dhe u transportua fillimisht në spitalin e Librazhdit për ndihmë mjekësore urgjente. Më pas ai u dërgua në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku u mbajt nën kujdes intensiv.
Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 53-vjeçari nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ndërroi jetë. Ndërkohë, autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.