'Qeveria të japë llogari'/ Xhixho: Europa konfirmoi se Shqipëria mbahet peng nga korrupsioni dhe keqqeverisja

Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë dhe deputetja Erisa Xhixho deklaroi se rezoluta e miratuar nga Parlamenti Europian përbën një “kambanë alarmi” për gjendjen në Shqipëri dhe një “aktakuzë të qartë” ndaj qeverisjes së kryeministrit Edi Rama.

Në një deklaratë për mediat, Xhixho u shpreh se vendi nuk ka më një kryeministër që qeveris në interes të qytetarëve, por, sipas saj, një drejtues që ka cenuar interesin publik dhe shtetin ligjor.

Ajo theksoi se rezoluta e miratuar me mbi 82% të votave në Parlamentin Europian evidenton problematika të lidhura me korrupsionin, pandëshkueshmërinë, dobësimin e shtetit ligjor dhe funksionimin e institucioneve demokratike në Shqipëri.

Sipas Xhixhos, dokumenti i Parlamentit Europian ngre shqetësime për standardet zgjedhore, lirinë e medias, luftën kundër korrupsionit dhe raportet mes pushtetit politik dhe grupeve kriminale. Ajo akuzoi kryeministrin Rama si përgjegjës për, sipas saj, kapjen e shtetit, përfitimin nga korrupsioni dhe lejimin e grabitjes së pasurive publike e private.

Deputetja e Partisë së Lirisë u ndal edhe te amendamentet e përfshira në rezolutë, duke theksuar se ato kërkojnë shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura, të cilat Partia e Lirisë i ka kundërshtuar dhe i ka dërguar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

Ajo shtoi se dokumenti kërkon gjithashtu shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike, të cilin e cilësoi si një mekanizëm për transferimin e pasurisë publike në duart e individëve të lidhur me pushtetin.

Duke iu referuar situatës politike në vend, Xhixho deklaroi se protesta qytetare mbetet mënyra e vetme për mbrojtjen e interesit publik dhe kërkoi mobilizim të gjerë kundër, sipas saj, padrejtësive që përjetojnë qytetarët shqiptarë.

Në përfundim, ajo tha se opozita do të vijojë të kërkojë llogari për çdo vendim që cenon interesin publik dhe se Shqipëria meriton një qeveri që u shërben qytetarëve dhe jo interesave të një grupi të ngushtë njerëzish pranë pushtetit.

Deklarata:

Përfundimisht, Shqipëria nuk ka më një kryeministër që qeveris në interes të qytetarëve, por një plaçkitës dhe dhunues të ligjit, armik të interesit publik.

Rezoluta e miratuar dje nga Parlamenti Europian me mbi 82% të votave është një kambanë alarmi për gjendjen e rëndë ku ndodhet vendi ynë dhe një aktakuzë e qartë ndaj qeverisjes së Edi Ramës.

Njeriu që sipas Kushtetutës dhe ligjeve duhet të ishte garant i shtetit ligjor dhe mbrojtës i interesit publik, rezulton sot si shkelësi më i madh i ligjeve dhe përgjegjësi kryesor për shkatërrimin e institucioneve demokratike.

Sot e gjithë Europa e ka të qartë se mbrojtësi politik i grupeve të narkotrafikut është Edi Rama. Shkatërruesi i standardeve zgjedhore është Edi Rama. Përfituesi i korrupsionit dhe kapjes së shtetit është Edi Rama. Personi që ka lejuar grabitjen e pasurive publike dhe private është Edi Rama. Personi që ka cenuar lirinë e medias dhe ka ushtruar presion ndaj saj është Edi Rama.

Rezoluta e Parlamentit Europian është një skaner politik që tregon qartë se Shqipëria mbahet peng nga korrupsioni, pandëshkueshmëria dhe keqqeverisja e Edi Ramës dhe kabinetit të tij. Ajo evidenton se shteti ligjor është dobësuar rëndë dhe se institucionet janë vënë në shërbim të pushtetit, jo të qytetarëve.

Amendamentet e parashikuara në rezolutën e Parlamentit Europian kërkojnë shfuqizimin e dryshimeve të ligji për zonat e mbrojtuar të bëra 2024, të cilat i kemi kundërshtuar me votë dhe e kemi ankimuar deri në Gjykatë Kushtetuese. Rezoluta kërkon moratorium për zonat e mbrojtura dhe përafrim të plotë të legjislacionit shqiptar me atë europian në kuadër të Kapitullit 27, që i përket mjedisit.
Gjithashtu, ato kërkojnë shfuqizimin e ligjit të investimeve strategjike, i cili është kthyer në mekanizmin e kalimit të pasurisë publike në duart e një grupi njerëzish të lidhur ngushtë me pushtetin.

Përballë kësaj situate, e vetmja mënyrë për të mbrojtur interesin publik është protesta e madhe dhe e pandalshme e qytetarëve të lirë. Një protestë që gëzon mbështetje të gjerë popullore, sepse buron nga padrejtësitë që përjetojnë çdo ditë shqiptarët.

Ndërsa shumica e qytetarëve përballen me varfëri, emigracion, pasiguri dhe mungesë shprese, në luks dhe privilegje jetojnë vetëm Edi Rama, oligarkët dhe klientët e tij.

Mesazhi i Parlamentit Europian është i qartë: qeveria duhet të japë llogari për dështimet e saj dhe vendi të rikthejë standardet demokratike. Opozita do të vazhdojë të kërkojë llogari për çdo akt që cenon interesin publik dhe nuk do të bëjë asnjë hap pas në mbrojtje të qytetarëve shqiptarë.

Shqipëria meriton një qeveri që i shërben njerëzve, dhe jo një grushti njerëzish pranë qeverisë.