Ronaldo në qendër të kritikave, reagojnë tifozët: Trajneri ka frikë ta zëvendësojë
Debutimi i Portugalisë në Botërorin 2026 nuk ka kaluar pa polemika. Barazimi 1-1 ndaj Republikës Demokratike të Kongos dhe paraqitja e zbehtë e kapitenit Cristiano Ronaldo kanë ndezur debat të madh në Portugali.
Në moshën 41-vjeçare, Ronaldo po merr pjesë në Kupën e tij të gjashtë të Botës, por ndeshja e parë nuk solli performancën që tifozët prisnin. Kritikat nuk kanë ardhur vetëm nga analistët dhe mediet, por edhe nga një pjesë e tifozëve portugezë, të cilët kanë vënë në diskutim rolin e tij si titullar i padiskutueshëm.
Deklaratat e mesfushorit të Kongos, Ngal'ayel Mukau, kanë bërë jehonë të madhe pas ndeshjes.
“Nuk kishim përgatitur ndonjë plan të veçantë apo një mbulim special për Ronaldon. Ai nuk është më i njëjti si më parë. Kam respekt të madh për një nga lojtarët më të mirë në histori, por tani është më i moshuar. Kur arrin në një moshë të caktuar, nuk mund të bësh të njëjtat gjëra si më parë”, deklaroi Mukau.
Në qendër të kritikave ka përfunduar edhe trajneri Roberto Martínez. Shumë tifozë dhe komentatorë sportivë e kanë akuzuar teknikun spanjoll se hezitoi ta zëvendësonte Ronaldon gjatë ndeshjes, duke vonuar aktivizimin e Gonçalo Ramos.
Në rrjetet sociale dhe mediet portugeze është përhapur mendimi se Martinez nuk pati guximin të largonte nga fusha fituesin e pesëfishtë të Topit të Artë. “A po e shohim të njëjtën ndeshje? Ai pati frikë ta nxirrte Ronaldon. Kështu nuk vepron një trajner”, ishte një nga komentet më të përsëritura pas takimit.
Tashmë vëmendja është përqendruar te ndeshja e ardhshme kundër Uzbekistanit, e drejtuar nga Fabio Cannavaro. Portugalisë i nevojitet patjetër fitorja për të forcuar shanset e saj për kualifikim në fazën tjetër.
Megjithëse një ulje në stol e Ronaldos duket ende e vështirë për t’u imagjinuar, presioni po rritet. Nëse edhe ndaj Uzbekistanit ai nuk arrin të tregojë nivelin e pritur, rruga e tij dhe e Portugalisë në këtë Botëror mund të bëhet shumë më e vështirë.