Presidenti i Brazilit bën shakanë e hidhur pas nisjes së Botërorit: Le të marrim Messin...
Presidenti i Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva, ka bërë një deklaratë me nota humori pas debutimit jo bindës të Brazilit në Botërorin 2026. Pas barazimit zhgënjyes të brazilianëve ndaj Marokut dhe fitores së thellë të Argjentinës ndaj Algjerisë, Lula tha me shaka se po mendonte të afronte Lionel Messin te përfaqësuesja braziliane.
“Po mendoja të merrnim Messin që të luante për Brazilin”, deklaroi presidenti brazilian para gazetarëve gjatë një vizite në Zvicër, pasi kishte marrë pjesë në samitin e G7 në Francë.
Lula vlerësoi paraqitjen e jashtëzakonshme të Lionel Messit në ndeshjen e parë të Argjentinës në Botëror. Kapiteni argjentinas ishte protagonisti kryesor në suksesin ndaj Algjerisë dhe, falë golave të realizuar, arriti në kuotën e 16 golave në Kupat e Botës, duke barazuar rekordin e legjendës gjermane Miroslav Klose në krye të listës së golashënuesve më të mirë në historinë e turneut.
Duke komentuar barazimin e Brazilit ndaj Marokut, Lula kërkoi qetësi dhe shmangien e kritikave të tepruara. Ai theksoi se Maroku është skuadra më e fortë e grupit dhe kujtoi se Brazili ka pasur edhe në të kaluarën nisje jo të mira në turne të mëdhenj, por më pas ka arritur të fitojë trofeun.
Presidenti brazilian zbuloi gjithashtu se kishte bërë tifo për Kepin e Gjelbër në barazimin surprizë ndaj Spanjës. Sipas tij, ai ka gjithmonë simpati për skuadrat më pak të favorizuara, veçanërisht për përfaqësueset afrikane, të cilat po vazhdojnë të surprizojnë në këtë Botëror.
Deklarata e Lulës u prit me buzëqeshje nga mediet, por njëkohësisht tregoi admirimin e presidentit brazilian për Messin, i cili po vazhdon të shkruajë histori edhe në Botërorin 2026.