Trump nënshkruan marrëveshjen për t’i dhënë fund luftës në Iran! Netanjahu nuk reagon, WSJ zbulon telefonatën
Netanyahu zgjodhi të mos reagojë publikisht të mërkurën, 17 qershor, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump publikoi dhe firmosi marrëveshjen me Iranin, të cilën zyrtarët izraelitë e konsiderojnë një dështim të madh strategjik dhe politik.
Rëndësia e çështjes qëndron te fakti se Netanyahu i kishte premtuar opinionit publik izraelit një ‘fitore totale’ ndaj Iranit. Në vend të kësaj, ai u detyrua të pranojë memorandumin e mirëkuptimit të Trumpit, ndërsa përballet edhe me kritika të shpeshta nga presidenti amerikan, vetëm katër muaj përpara zgjedhjeve.
Në arenën ndërkombëtare, Netanyahu duket gjithnjë e më i izoluar në bindjen e tij se marrëveshja është një gabim dhe se lufta duhej të vazhdonte.
Edhe Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat konsideroheshin ndër vendet më të ashpra të Gjirit ndaj Iranit, iu bashkuan konsensusit rajonal në mbështetje të marrëveshjes.
Edhe në Uashington, aleatët tradicionalë të Netanyahut në radhët e republikanëve dhe në mediat konservatore po shmangin sulmet e drejtpërdrejta ndaj marrëveshjes, duke qenë se ajo mban vulën politike të Trumpit.
Ndryshe nga viti 2015, kur Netanyahu mbajti një fjalim të bujshëm në Kongres për të kundërshtuar marrëveshjen bërthamore të presidentit Barack Obama me Iranin, këtë herë një skenar i tillë duket i pamundur. Kryeministri izraelit nuk mund të dalë hapur në mediat amerikane për ta kundërshtuar marrëveshjen pa rrezikuar një përplasje të drejtpërdrejtë me Trumpin.
Pas dyerve të mbyllura, zyrtarët izraelitë kanë shprehur shqetësime të thella për marrëveshjen në biseda jozyrtare me gazetarët vendas.
Ndërkohë, media pranë Netanyahut, të cilat deri vonë ishin mbështetëse të forta të Trumpit, kanë nisur të sulmojnë presidentin amerikan dhe ekipin e tij.
Një moderator i njohur në orarin kryesor të transmetimit në Channel 14, televizion i afërt me kampin e Netanyahut, e quajti zv/presidentin amerikan JD Vance ‘maskara’, ndërsa përdori edhe terma ofendues për të akuzuar të dërguarit e Trumpit, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, se kanë sakrifikuar interesat e Izraelit për përfitime financiare, shkruan Axios.
E megjithëse vazhdojnë të komunikojnë shpesh, raportet mes presidentit amerikan Donald Trump dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu duket se nuk janë më aq miqësore sa dikur. Pas raportimeve të mëparshme të Axios, edhe Wall Street Journal zbulon detaje të reja mbi bisedat e fundit mes dy liderëve.
Sipas gazetës amerikane, gjatë përpjekjeve për të bindur Iranin të nënshkruante një memorandum mirëkuptimi që parashikonte ndalimin e bombardimeve, përfshirë edhe në Liban, Trump i ka telefonuar Netanyahut duke i kërkuar të ndalonte sulmet.
‘Pse po hidhni në erë ndërtesat? Ndaloni’, mësohet t’i ketë thënë presidenti amerikan kryeministrit izraelit.
Në një tjetër bisedë telefonike, Trump thuhet se ka shprehur shqetësimin se një recesion global i shkaktuar nga lufta mund të krijojë paralele mes tij dhe Herbert Hooverit, presidentit amerikan që drejtoi vendin gjatë Depresionit të Madh në vitet ’30.
Sipas WSJ, Trump u ka thënë gjithashtu këshilltarëve të tij se askush nuk arrin ta kontrollojë Netanyahun, i cili, sipas tij, është i vendosur të ‘bombardojë gjithçka’.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë ka treguar se, si shenjë e tensioneve në rritje dhe e mungesës së besimit, Trump tashmë pyet shpesh bashkëpunëtorët e tij nëse informacionet që i jep Netanyahu janë të vërteta, diçka që më parë nuk e bënte.
Presidenti amerikan është zemëruar pasi ka parë imazhe të të krishterëve të goditur nga sulmet në Liban dhe është shprehur i zhgënjyer që Izraeli vazhdon bombardimet pavarësisht armëpushimit.
Për të zgjidhur ngërçin, Trump ka thirrur në Zyrën Ovale përfaqësues izraelitë dhe libanezë të angazhuar në negociata, duke u përpjekur të ndërmjetësojë personalisht një marrëveshje.