Atentati ndaj çiftit Mujeci në Lezhë, arrestohet në Ulqin i bashkëpunëtori, fshehu makinën e autorëve

Është arrestuar në Mal të Zi njëri prej të dyshuarve si bashkëpunëtor në vrasjen e çiftit Kreshnik e Gentjana Mujeci, ngjarje e ndodhur më datë 26.04.2026, në fshatin Balldren të Lezhës.

Besnik Kolndreu u arrestua në Ulqin të Malit të Zi dhe u deportua në Pikën e Kalimit Kufitar Muriqan, ku iu dorëzua shërbimeve të Policisë Kufitare shqiptare dhe më pas u shoqërua nga shërbimet Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë.

Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se Kolndreu dyshohet se ka ndihmuar autorët e kësaj ngjarjeje, duke fshehur në banesën e tij automjetin e përdorur prej tyre pas kryerjes së krimit.

Njoftimi i policisë

Falë informacionit të siguruar nga Policia e Shtetit për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim, si dhe shkëmbimit në kohë reale të informacionit me autoritetet policore malazeze, Policia e Malit të Zi lokalizoi dhe kapi në Ulqin një shtetas të kërkuar në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 26.04.2026, në fshatin Balldren.

Menjëherë pas kapjes, shtetasi u deportua në Pikën e Kalimit Kufitar Muriqan, ku iu dorëzua shërbimeve të Policisë Kufitare shqiptare dhe më pas u shoqërua nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë.

Në vijim të veprimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve Kundër Personit në DVP Lezhë, u bë ndalimi i shtetasit B. K., 40 vjeç, banues në fshatin Torovicë, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në bashkëpunim.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim në zbatim të vendimit të Gjykatës së Lezhës, e cila i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, në kuadër të hetimeve për ngjarjen e ndodhur më datë 26.04.2026, në fshatin Balldren, ku u vranë me armë zjarri shtetasit K. M. dhe G. M., bashkëshortë.

Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se shtetasi B. K. dyshohet se ka ndihmuar autorët e kësaj ngjarjeje, duke fshehur në banesën e tij automjetin e përdorur prej tyre pas kryerjes së krimit. Automjeti u gjet dhe u sekuestrua nga shërbimet e Policisë gjatë kontrolleve të kryera në kuadër të hetimeve.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme procedurale.