'Dibra, etalon i tjetërsimit të votës'/ Mziu: Kadastra instrument politik në duart e Ramës...
I ftuar në emisionin e mëngjesit “Kafe Shqeto” në Syri TV, deputeti i Partisë Demokratike, Xhelal Mziu, ngriti akuza ndaj mënyrës së funksionimit të Kadastrës, duke e cilësuar atë si një instrument në shërbim të interesave politike të qeverisë.
Gjatë bisedës me moderatorin Flavio Qarri, Mziu deklaroi se problematikat e denoncuara së fundmi në Dibër nuk janë raste të izoluara, por një fenomen që, sipas tij, po ndodh në të gjithë vendin.
Sipas Mziut, institucioni i Kadastrës është shndërruar jo vetëm në një mekanizëm korruptiv, por edhe në një mjet presioni ndaj qytetarëve dhe pronarëve të tokave, veçanërisht ndaj atyre që mbështesin opozitën. Ai u shpreh se Kontrolli i Lartë i Shtetit nuk është lejuar të kryejë auditime në Kadastër prej më shumë se dy vitesh.
Mziu u ndal te proceset zgjedhore në Dibër, duke e cilësuar këtë qark si “etalon të tjetërsimit të votës”. Ai përmendi dosjen 184, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe eksponentë të lartë socialistë për ndikim të paligjshëm në zgjedhjet e vitit 2017.
Deputeti demokrat foli gjithashtu për kultivimin e kanabisit në Dibër gjatë asaj periudhe, duke pretenduar se fenomeni më pas u shtri në të gjithë Shqipërinë.
Në vijim të intervistës, Mziu akuzoi ish-zv.kryeministren Belinda Balluku për krijimin e një sistemi korrupsioni vertikal në administratë dhe veçanërisht në Kadastër.
Mziu komentoi edhe zhvillimet e fundit politike në Dibër, duke u shprehur se përplasjet e brendshme në Partinë Socialiste mund të kenë ndikuar në situatën e krijuar. Sipas tij, largimi i Ballukut ka sjellë përçarje mes grupeve rivale brenda socialistëve në qark.
Më tej, deputeti i Partisë Demokratike kërkoi angazhim më të madh nga Prokuroria dhe SPAK për hetimin e rasteve që lidhen me korrupsionin, tjetërsimin e pronave dhe manipulimin e proceseve zgjedhore.
Pjesë nga intervista me Xhelal Mziun
'Ajo çfarë ka ndodhur në Dibër do të ndodhë në të gjithë Shqipërinë, sepse kadastra është kthyer në një instrument në dorën e kryeministrit. Nuk e di nëse e din opinioni publik, por kadastra nuk është më siç ka qenë përherë, po themi, një strukturë që varet nga Ministria e Drejtësisë, po kadastra është një ndër ato drejtoritë autonome që varet nga kryeministri.
Dhe po ta shohësh gjatë gjithë këtyre viteve, ajo kadastra është kthyer në një instrument në të cilin jo vetëm është korruptiv, por është dhe shantazhues ndaj pronarëve, ndaj poseduesve të tokave që janë demokratë, dhe natyrisht tarifa e marrjes së një dokumenti ligjor ka pësuar një rritje galopante.
Pra, çfarë dua të them, nuk është një rrufe në qiell të pastër ajo çfarë ndodh në Dibër, po kjo po ndodh në të gjithë Shqipërinë. Madje po ju jap dhe një kuriozitet tjetër. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka më shumë se dy vite që nuk lejohet që të shkojë tek kadastra. Madje nuk i pranon asnjë, sepse thotë jemi në një periudhë tranzicioni dhe çfarë do të thotë që aty bëhet çfarë të duhet për të bërë, për të tjetërsuar pronat, dhe ndërkohë kur dikush shkon për të kërkuar pronën, sheh që ajo nuk është.
Është e vërtetë. Ju e dini shumë mirë që Dibra është etaloni i tjetërsimit të votave. Absolutisht. Po të shohësh vitin 2016, ne kemi kryeministrin që sipas dosjes 184 duhet të ishte në burg. Doli në zë dhe me figurë se si përdorte, po themi, shantazhin dhe joshjen për të fituar zgjedhjet e Dibrës.
Madje bëri dhe implementimin e Shqipërisë me drogë, hashash, kudo. Dhe pastaj e riktheu, po themi, këtë standart në të gjithë Shqipërinë në vitin 2017. Kanabizimi aty ishte, po themi, kulmoi, dhe po të shkosh atëherë kur ishim në vitin 2016, vetëm 500 metra nga qyteti ose më saktë më afër, po nga qendra e qytetit, ishte parcela e parë. Kudo që shkoje kishte hashashizim. Kudo nuk ngeli parcelë, po themi, që punohej në kohën e diktaturës që nuk u mboll, madje dhe përtej kësaj.
Pastaj u implementua në të gjithë Shqipërinë. Por ajo çfarë duhet të themi edhe njëherë është që, është kryeministri i dosjes 184, është Ulsi Manja kryesori i dosjes 184, është Gjiknuri që merret me reformën territoriale, që ishte drejtuesi politik i 2016-ës i 184.
Ajo se çfarë ndodh tani te kadastra, po ta shohësh, është efekti i Belindës. Belinda e prishi çdo lloj ekuilibri që kishte krijuar Partia Socialiste që shkonte diku te 50 euro, mbase 100 euro. Ama kur erdhi Belinda, 500-shja ishte një lloj si 50-shja.
Po marr rastin e kadastrës. E përdori si instrument... shkonin eksponentë të Partisë Socialiste që donin të merrnin, po themi, pronën e tyre apo pronën e dikujt tjetër. I jepnin urdhër politik, ishin të detyruar të kadastrës për t'i plotësuar dokumentat. Pra çfarë do të thotë që aty ishte një korrupsion, po themi, vertikal që fillonte nga qendra dhe që implementohej. Dhe ndërkohë kur shkonte dikush, një demokrat, jo vetëm që nuk i jepej, por ndoshta që akoma ata nuk e dinë, nuk e kanë më pronën e tyre.
Pra, çfarë do të them, kadastra është përdorur si një instrument elektoral dhe nuk duhet t'i fajësojmë po themi punonjësit që kanë punuar në administratë, por është një linjë politike. Një linjë politike në shërbim të zgjedhjeve qendrore apo lokale që bëhen në Dibër, në qarkun e Dibrës dhe pothuajse në të gjithë Shqipërinë.
Nuk besoj që ka ndonjë strukturë shtetërore, dhe sidomos ajo që ka të bëjë me prona apo ajo që ka të bëjë, po themi, me shpërndarje postesh, apo ajo që ka të bëjë, po themi, për të marrë persona në kërkim apo në ndjekje apo të tjerë, pra varet nga oreksi politik. Madje, përtej kësaj, unë druaj që kjo është dhe një konflikt, i vjen edhe si rezultat i një konflikti të brendshëm që ka, që dolën në pah në këto momente.
Sepse, për shembull, Partia Socialiste, po ta shohësh, në Dibër ka qenë e ndarë në dy grupe. Ishin dy grupe të cilët nuk shkonin me njëri-tjetrin. Dhe me ikjen e Belindës, kur ishte Belinda, ishte e unifikuar sepse Belinda kishte një dorë të hekurt ndaj çdo personi dhe impononte për të qenë koherent.
Tani ka ardhur Ulsiu. Ulsiu e ka të pamundur, se ju e dini që Ulsiu është dëbuar nga Dibra. Ka tetë vite që nuk është në Dibër. Dhe ka qenë, po themi, person i padëshiruar apo non-grata për Dibrën, midis socialistëve, se demokratët as nuk duan ta shohin. Pra, jo vetëm që është rikthyer, por tashmë gjysma e atyre nuk e duan, dhe druaj që dhe ky moment, ky mund të jetë në një farë mënyre dhe një presion, shantazh ndaj asaj pjese që nuk e duan.
Unë nuk besoj që ka ndonjë strukturë shtetërore që nuk e ka trashur zullumin, korrupsionin, dhe absolutisht duhet të ishte në shumë kohë më përpara. Bjen fjala dhe përsa i përket tani kadastrës, kjo është një element i përfolur ka kohë. Sepse janë disa dosje dhe një herë e rikthejmë që ishin dhënë me urdhër politik për t'u realizuar dhe që normalisht kishin shkelje dhe që janë firmosur, dhe kjo është një gjë që dihet ka dy apo tre vite.
Dhe ndërkohë u mbajtën pastaj si një çengel ndaj këtyre personave për të qenë unik, ose për të prodhuar një sasi të caktuar votash, ose përndryshe këtë që i kishin imponuar do ta dërgonin në prokurori. Pra çfarë do të thotë? Kur këtë e kanë implementuar, po themi, në një periferi të Shqipërisë siç është Dibra, imagjino se çfarë bëjnë për gjëra shumë më të mëdhaja dhe me efekt kombëtar. Kështu që zullumi i këtyre gjërave është në maksimumin e mundshëm. Absolutisht prokuroria, SPAK-u duhet të punonin 24 orë dhe duhet të punojnë 24 orë për të dërguar, po themi, ato të cilët kanë efekte të jashtëzakonshme.
Por, si duket vazhdon që të jetë latente kjo situatë dhe më shumë pastaj të rikthehet tek orekset lokaliste të Partisë Socialiste, apo çështje të cilat kanë ardhur për shkak të ndërhyrjes së faktorit ndërkombëtar, të cilët shkojnë dhe i bëjnë prezent, por dhe ato i bëjnë siç është çështja e Arubës, në të cilën nxjerrin personat por nuk nxjerrin, po themi, linjën politike vertikale të qeverisë e cila jo vetëm që është një koordinator, por dhe që e përdor influencën e tyre për blerjen e votës apo për shantazhimin e demokratëve.'