VIDEO/ Ghana fiton në frymën e fundit ndaj Panamasë, vendos Yirenkyi në minutën e 95-të

Ghana ka marrë një fitore dramatike 1-0 ndaj Panamasë në ndeshjen e parë të Grupit L në Botërorin 2026, falë një goli të shënuar në minutën e pestë shtesë.

Takimi dukej i destinuar të mbyllej pa gola, me të dyja skuadrat që nuk arritën të gjenin rrugën e rrjetës gjatë 90 minutave të rregullta. Por kur barazimi dukej i pashmangshëm, Brandon Thomas-Asante shpiku një asist perfekt në minutën e 95-të për Caleb Yirenkyi.

Video

Mesfushori ganez nuk gaboi nga afër dhe dërgoi topin në rrjetë, duke i siguruar “Yjeve të Zinjtë” tri pikë shumë të rëndësishme.

Falë këtij suksesi, Ghana barazon Anglinë në krye të Grupit L, pasi anglezët kishin fituar më herët 4-2 ndaj Kroacisë.

Në raundin e ardhshëm, më 23 qershor, Ghana dhe Anglia do të përballen në një duel që pritet të vendosë kreun e grupit, ndërsa Panama dhe Kroacia do të luajnë një sfidë me karakter vendimtar për vazhdimësinë në turne.