'Rama po mendon largimin nga vendi'/ Aktori: Do të çojmë në azil politik, të ka ardhur fundi

Protesta e 18-të radhazi kundër qeverisë së Kryeministrit Edi Rama është mbajtur sërish para Kryeministrisë, ku qytetarë dhe përfaqësues të sindikatës së artistëve janë mbledhur në shenjë proteste ndaj qeverisjes dhe gjendjes së artit e kulturës në vend.

Aktori, gjatë fjalës së tij në protestë, deklaroi se Kryeministri Edi Rama po përgatit planin dhe mënyrën se ku dhe si do të largohet nga vendi, duke e lidhur këtë me krizën politike dhe rritjen e pakënaqësisë publike.

Ai u shpreh se vendi ndodhet në një situatë të rënduar nga korrupsioni dhe keqqeverisja, ndërsa theksoi se institucionet e kulturës janë shkatërruar dhe artistët janë lënë pa mbështetje dhe pa hapësira zhvillimi.

Fjala e tij:

Aq shumë jemi, saqë ditët e fundit ky jo vetëm e ka menduar dorëheqjen, por ka menduar edhe se ku do të shkojë, ku do të “arratiset”, sepse këtu nuk ka më vend. Unë jam këtu si qytetar, si prind dhe si artist. Jam këtu sepse mendoj se Shqipëria meriton më shumë.

Meriton më shumë se korrupsioni, meriton më shumë se vjedhja e pronave, që këta ia kanë shkaktuar pronarëve në radhë të parë, por edhe shtetit shqiptar. I kanë një borxh shumë të madh pronarëve. Jam këtu sepse arti dhe kultura në këtë vend janë në ditën e tyre më të keqe. Janë shkatërruar institucionet e artit dhe kulturës.

Nuk ka prind sot që mendon se ku do ta çojë fëmijën e vet. Nuk ka institucione. Cirkun Kombëtar e shkatërroi, prej vitesh e shkriu Estradën e Shtetit. Teatrin Kombëtar, siç e shikoni, e shembi. Aty ishim, aty filloi e gjithë gjëja.

Por e dini shumë mirë, nuk kemi qendra kulturore për fëmijë. Nuk kemi ku t’i çojmë fëmijët. Bashkia e Tiranës çfarë ofron për fëmijët e Tiranës?

Prandaj sot i bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Tiranës: çohuni dhe bashkohuni! Sepse këtij i ka ardhur fundi, por Shqipëria ka nevojë për të gjithë ju. Sot më shumë se kurrë, për ta çuar Ramën në azil politik.