Kushtetuesja rrëzon emërtimet e vitit 2007/ Ish-zëvendëskryeministri Osmani: Ditë e zezë për shqiptarët
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut për të shfuqizuar emërtimet e rrugëve dhe shesheve të miratuara nga Komuna e Tetovës në vitin 2007 ka shkaktuar reagime të forta në kampin politik shqiptar. Me pesë vota pro dhe tre kundër, ku kundërshtuan dy gjyqtarët shqiptarë dhe një gjyqtar turk, Kushtetuesja vendosi të abrogojë vendimin e Këshillit Komunal të Tetovës, duke argumentuar se ai ishte miratuar pa pëlqimin e Qeverisë, në kundërshtim me ligjin përkatës.
Vendimi prek një sërë emërtimesh që prej gati dy dekadash kanë qenë pjesë e hapësirës publike në Tetovë, mes tyre “Iliria”, “Dëshmorët e Kombit”, “Dervish Cara” dhe “Kongresi i Manastirit”. Për shumë shqiptarë, këto emra përfaqësojnë afirmimin e identitetit kombëtar dhe pasqyrimin më të drejtë të historisë shqiptare pas Marrëveshjes së Ohrit.
Si pasojë e vendimit, disa rrugë dhe sheshe do t’u rikthehen emërtimeve të mëparshme. Mes tyre, emri “Kongresi i Manastirit”, “Dëshmorët e Kombit” dhe “Krushevska Republika” do të zëvendësohen me emrin e figurës jugosllave Ivo Lola Ribar. Ndërkohë, emrat e rilindësve shqiptarë Abdyl Frashëri dhe Sami Frashëri do të hiqen për t’u rikthyer emërtimet e vjetra “Lenin” dhe “Radovan Coniq”. Po ashtu, do të ndryshojë edhe emërtimi i rrugës “Metodija Andonov Çento”, e cila do të marrë emrin e partizanit slloven Boris Kidriç.
Reagime të ashpra kanë ardhur nga partitë shqiptare, të cilat e shohin vendimin si një goditje ndaj përfaqësimit historik dhe identitar të shqiptarëve. Bashkimi Demokratik për Integrim e ka cilësuar këtë zhvillim si pjesë të një tendence për zhbërjen e arritjeve politike të shqiptarëve, ndërsa deputeti Arbër Ademi ka folur për një vendim destabilizues dhe regresiv.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, e cilësoi vendimin si “një ditë të zezë për shqiptarët”. Ai akuzoi kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, dhe koalicionin VLEN se kanë dështuar në mbrojtjen e interesave të shqiptarëve, duke e konsideruar rikthimin e emrit “Marshal Tito” në vend të sheshit “Iliria” si një simbol të kthimit pas.
“Ditë e zezë për shqiptarët. Gjykata Kushtetuese anuloi vendimin për emërtimet e rrugëve dhe shesheve në Tetovë, duke rikthyer emrin ‘Marshal Tito’ në vend të sheshit ‘Iliria’. Një tjetër goditje ndaj identitetit shqiptar, një tjetër hap prapa për këtë vend”, shkroi Osmani, duke shtuar se shqiptarët nuk do ta harrojnë këtë vendim.