'SPAK duhej të reagonte'/ Logu: Rasti Koçeku nxjerr në pah implikimin e krimit në zgjedhje në Shkodër

I ftuar në emisionin “Task Force” në Syri TV, juristi Marash Logu e konsideroi shqetësuese mungesën e reagimit institucional pas pretendimeve të deputetes Elona Koçeku se ajo dhe familja e saj janë kërcënuar.

Sipas Logut, reagimet e deputetëve apo kolegëve të saj politikë janë dytësore krahasuar me detyrimin që kanë institucionet shtetërore për të vepruar në raste të tilla.

“Zonja Koçeku është deputete e Kuvendit të Shqipërisë dhe nëse ajo mendon se jeta apo shëndeti i saj dhe i familjarëve të saj janë në rrezik, Policia e Shtetit duhet t’i kishte ofruar menjëherë mbrojtje. Edhe në rast se nuk ka një kërcënim të provuar, mjafton perceptimi për një rrezik të mundshëm që institucionet të marrin masa parandaluese”, u shpreh ai.

Logu kritikoi gjithashtu mungesën e reagimit nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), duke theksuar se personat që pretendohet se kanë kërcënuar deputeten janë subjekte të hetimeve të kësaj strukture.

Sipas tij, denoncimi i Koçekut përforcon pretendimet e kahershme të Partisë Demokratike mbi ndikimin e grupeve kriminale në proceset zgjedhore, veçanërisht në qarkun e Shkodrës. Ai shtoi se rasti duhet të shërbejë si provë për strukturat hetimore të ngritura për monitorimin e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025, në mënyrë që të hetohet ndikimi i krimit të organizuar në procesin zgjedhor.

Në vijim, Logu ngriti pikëpyetje edhe mbi hetimet e fundit të SPAK-ut lidhur me pastrimin e parave të organizatave kriminale përmes sektorit të ndërtimit.

Juristi vlerësoi se ekziston një hezitim nga SPAK-u për të hetuar deri në fund si krimet zgjedhore, ashtu edhe rastet që lidhen me pastrimin e parave dhe korrupsionin në nivele të larta. Më tej, Logu deklaroi se, sipas tij, dy faktorët kryesorë që mbajnë kryeministrin Edi Rama në pushtet janë korrupsioni dhe mbështetja e krimit të organizuar.

Logu:

Në fakt ajo që është më shqetësuese është jo se po themi reagon deputeti Hasani apo ndonjë deputet tjetër, koleg i zonjës Koçeku pavarësisht krahut politik që i përket, po ajo që tha pak edhe Romiri, që është shumë shqetësuese është mungesa e reagimit të institucioneve, pra qoftë e policisë së shtetit.

Sepse zonja Koçeku është deputete e Kuvendit të Shqipërisë dhe në qoftë se ajo mendon që ajo personalisht apo familja e saj rrezikohet, jeta apo shëndeti i tyre, do të duhej detyrimisht që policia e shtetit t'i kishte ofruar në radhë të parë mbështetje, mbrojtje e tjerë e tjerë në mënyrë që të eliminohet mundësia për çdo lloj rreziku të mundshëm, qoftë edhe perceptimi i saj... pra edhe sikur të mos kishim diçka konkrete po thjesht një perceptim që ka një rrezik të caktuar sepse çfarë për shembull në qoftë se ndodh diçka, pra si do të gjendemi në këtë situatë.

Dhe nga ana tjetër është shumë shqetësuese edhe ajo po themi që është reagimi i prokurorisë, veçanërisht i prokurorisë së posaçme, sepse zotërinjtë të cilët pretendohet se kanë kërcënuar deputeten Koçeku në fakt janë subjekte të prokurorisë së posaçme.

Pra arsyeja që sot një pjesë e tyre disa janë në kërkim, disa janë në burg e kështu me radhë, janë pikërisht për shkak të hetimeve që është duke kryer struktura e posaçme antikorrupsion dhe do të duhej në këtë rast që prokuroria e posaçme të aktivizohej, siç në fakt e parashikon dhe ligji, pra nuk ka nevojë gjithmonë që të vijë qytetari dhe të bëhet kallëzim, mjafton edhe që prokurorët e posaçëm apo Byroja Kombëtare e Hetimit të marrë dijeni kryesisht, dhe besoj unë e kanë parë se ka qenë një lajm që ka qarkulluar dhe ka qenë lajmi kryesor i ditës, e kanë parë që një deputete e Kuvendit të Shqipërisë pretendon që familja e saj është kërcënuar dhe nuk është kërcënuar nga njerëz të paidentifikuar, por i ka identifikuar konkretisht se kush janë personat apo familja sepse nuk i ka përmendur specifikisht cili apo cilët, që e kanë kërcënuar dhe do të duhej të kishte një reagim të menjëhershëm qoftë policisë së shtetit për ta marrë në mbrojtje ashtu edhe të prokurorisë së posaçme për të filluar menjëherë një hetim serioz për rastin.

Nga ana tjetër unë mendoj që denoncimi, sepse më shumë se çdo gjë tjetër ajo që ka bërë deputetja Koçeku është një denoncim në fakt. Denoncimi i deputetes Koçeku konfirmon atë që Partia Demokratike ka thënë, ka faturuar prej kohësh, implikimi që kanë grupet kriminale në zgjedhje, e veçanërisht implikimi që kanë grupet kriminale në zgjedhjet në qarkun e Shkodrës, ashtu si në qarqe të tjera sepse tashmë ka edhe dënime për shembull për qarkun e Durrësit, ku u qartësua se si grupe kriminale përfshiheshin jo vetëm në bindjen e votuesve apo në kërcënimin dhe intimidimin e votuesve për të votuar partinë socialiste, por deri edhe në caktimin e kandidatëve në listat për deputet.

Dhe kjo është një provë e cila asaj strukture apo task-forcës së famshme që u ngrit për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 do të duhej në fakt që t'i shërbejë për të kuptuar se si krimi i organizuar ka qenë i implikuar në zgjedhjet në qarkun e Shkodrës deri edhe sa i lejon vetes po themi për të kërcënuar drejtpërdrejt deputet të Kuvendit të Shqipërisë.

Besoj pavarësisht se ne nuk kemi detaje si ka qenë kërcënimi apo forma e kërcënimit, është ajo që ka qarkulluar masivisht te strukturat e partisë socialiste, por edhe një fushatë mediatike që është bërë kundër zonjës Koçeku për të dorëzuar mandatin që mandati t'i kalojë po themi deputetes pasardhëse në listën e qarkut të Shkodrës.Shikoni sonte, duket që akoma ka një lloj hezitimi po themi për t'i bërë hetimet e plota, përfshirë dhe hetimin e krimeve zgjedhore. Për shembull, po të shikoni këtë hetimin e fundit që është zbardhur se si organizata kriminale, trafiku ndërkombëtar i drogës, pastronin paratë nëpërmjet sektorit të ndërtimit, pra duke investuar në zona bregdetare, në kulla, ndërtime e kështu me radhë.

Në fakt duket pak e çuditshme se si ka mundësi që i gjithë ky hetim nuk ka të identifikuar, ose të paktën si person nën hetim apo qoftë edhe ndonjë masë arresti ndaj atyre që i japin lejet e ndërtimit. Se lejet e ndërtimit duhet, për të marrë një leje ndërtimi dhe për të qarkulluar shuma të tilla duhet të kalosh shumë filtra po themi, një qytetar i cili do të marrë një leje ndërtimi qoftë edhe për të vënë çatinë e shtëpisë së tij, duhet të kalojë aq shumë filtra sa procesi bëhet aq i lodhshëm dhe i mërzitshëm sa shumë qytetarë e lënë në mes apo nuk e fillojnë fare si proces.

Dhe në këtë rast nuk kemi asnjë zyrtar të lartë, përfshirë atë që është kryetari i KKT-së dhe kryeministrin, i cili është person i drejtpërdrejtë përgjegjës për dhënien e lejeve. Edhe në këtë rast unë vlerësoj që ka një hezitim po e quaj hezitim tani për të mos thënë ndonjë fjalë tjetër, të Strukturës së Posaçme në Korrupsion që këto çështje t'i hetojë deri në fund.

Qoftë krimet zgjedhore qoftë edhe këto...Dy janë, unë mendoj që tashmë ka dalë shumë qartë, dy janë shtyllat kryesore që mbajnë Edi Ramën në pushtet. Nga njëra anë korrupsioni i lartë i tij dhe i bashkëpunëtorëve të tij, i cili një pjesë e konsiderueshme e tij ka dalë në dritë edhe nga hetimet e SPAK-ut po edhe nga denoncimet dhe investigimet që kanë kryer mediat, dhe nga ana tjetër krimi i organizuar i cili po themi në Shqipëri veçse nuk ka marrë një licencë kështu publike që ata mund të operojnë lirisht qoftë në drejtim të trafikimit lëndëve narkotike, ashtu edhe në drejtim pastrimit të parave duke përdorur sektorë të ndryshëm, përfshirë ndërtimin, përfshirë turizmin, përfshirë pra këta sektorë që kryeministri thotë janë sektorët të cilëve ne do t'u japim duhet edhe do t'u japim përparësi.