Kërcënimi i deputetes Koçeku/ Saraçi: Tregues i kapjes së shtetit nga krimi dhe fundi i parlamentarizmit

Një deputete e Kuvendit të Shqipërisë, Mariana Koçeku, është kërcënuar drejtpërdrejt nga klani ‘Bajri’, ngjarje që ka ndezur debat të fortë publik mbi sigurinë e përfaqësuesve të zgjedhur dhe funksionimin e institucioneve të shtetit të së drejtës.

I ftuar në studion e “Task Force”, Kryeredaktori i Syri Tv, Romir Saraçi u shpreh se ky është fundi i parlamentarizmit në Shqipëri dhe një nga sinjalet më alarmante të kapjes së shtetit nga krimi i organizuar. Sipas tij, fakti që një deputete, e cila gëzon mbrojtje institucionale dhe përfaqëson votën e qytetarëve, gjendet nën presion të drejtpërdrejtë nga struktura kriminale, tregon degradimin e rëndë të raportit mes politikës, krimit dhe institucioneve.

Saraçi theksoi gjithashtu se reagimi i munguar apo i vakët i institucioneve të drejtësisë dhe heshtja përballë një rasti të tillë e thellon edhe më shumë krizën e besimit publik, duke ngritur dyshime serioze mbi funksionimin real të shtetit të së drejtës dhe mbi aftësinë e tij për të mbrojtur përfaqësuesit e zgjedhur nga presionet kriminale.

Pjesë nga deklarata:

Është ky problemi më i madh, domethënë në gjithë këtë histori, gjithë kjo fabul, ky kërcënim. Për mua është një nga ngjarjet më të rënda të demokracisë, ku kërcënohet një deputete e cila është e mbrojtur me imunitet nga organet ligjzbatuese, por nuk ka asnjë lloj mbrojtjeje nga organizatat kriminale. Çfarë fakton njëherë, se do të dal tek pyetja juaj. Çfarë fakton njëherë që këta deputetë paskan më shumë detyrime karshi organizatave kriminale për mandatin e tyre sesa ndaj Partisë Socialiste. Kjo është shumë shqetësuese: të ngrihet një organizatë kriminale, e individëve me precedentë penalë, dhe të kërcënojnë deputeten në momentin që ajo, hë, del e pavarur, ikën nga Partia Socialiste. Është fundi jo i parlamentarizmit, por i demokracisë, sipas mendimit tim.

Shqetësuese ishte reagimi i një eksponenti të Partisë Socialiste, që e trajtuan sikur… nuk e di, që të mos e banalizoj, domethënë një njeri të rëndomtë që kërcënohet, ndërkohë që ishte kolegia, ish-sekretarja e komisionit që drejton Igli Hasani, dhe duhet të ishte ngritur në këmbë alarmi për të gjitha institucionet, dhe jo ai lloj reagimi, domethënë një reagim banal për një ish-ministër të jashtëm.

Dhe këto i bashkëngjiten edhe më shqetësueshëm mosreagimit të institucioneve të drejtësisë. Gazetarët tanë kanë kontaktuar si me Prokurorinë e Shkodrës ashtu edhe me Prokurorinë e Posaçme, me SPAK. Dhe kanë qenë në unison në të njëjtin qëndrim me Igli Hasanin.

Pra, nuk kemi denoncim. Mariana Koçeku nuk ka bërë kallëzim as në Prokurorinë e Shkodrës dhe as në polici, dhe ne nuk kemi regjistruar ende asgjë; të shohim në vijim nëse do të nisim ndonjë procedim kryesisht apo nëse Mariana Koçeku, deputetja Koçeku, do të bëjë një kallëzim. Nga ana tjetër, nga SPAK-u ka heshtje totale, sikur bëhet fjalë për një njeri të rëndomtë, jo për një deputete që kërcënohet nga organizata kriminale, të cilat janë subjekt i SPAK-ut.

Dhe këto tre elementë faktojnë më së miri mënyrën e qeverisjes, mënyrën e mbajtjes së pushtetit dhe mënyrën e veprimit të institucioneve të drejtësisë kur bëhet fjalë për interesa politike të Edi Ramës dhe kësaj mazhorance.