Takimi me Montserrat/ Bardhi: Integrimi europian ka vetëm një armik, qeverisjen e korruptuar të Ramës dhe Ballukut

Deputetët e Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, Jorida Tabaku dhe Agron Gjekmarkaj ndodhen në Strasburg ku kanë zhvilluar takime në Parlamentin Europian.

Ata kanë zhvilluar dhe një takim me sekretaren e Përgjithshme të Partisë Popullore Europiane, Dolors Montserrat. Gjatë takimit është diskutuar për integrimin e Shqipërisë në BE.

Bardhi është shprehur se, integrimi i Shqipërisë ka vetëm një armik, qeverisjen e korruptuar të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut.

Reagimi i Gazment Bardhit:

Në Parlamentin Europian me Sekretaren e Përgjithshme të Partisë Popullore Europiane (PPE) dhe eurodeputeten, znj. Dolors Montserrat.

Integrimi europian ka vetëm një armik: qeverisjen e korruptuar dhe të papërgjegjshme të Edi Ramës.

Edi Rama zgjodhi Belinda Ballukun përpara integrimit europian. Me vetëdije të plotë, për të mbrojtur bashkëpunëtoren e tij të pandehur nga SPAK-u, Edi Rama nuk e kaloi testin e Europës dhe sot raporti i Parlamentit Europian po na vendos kusht pas kushti, duke shprehur hapur zhgënjimin dhe mosbesimin ndaj kësaj qeverie.

Edi Rama zgjodhi aleancën me krimin e organizuar, në vend të aleancës me familjen europiane. Vetëm në dy dosje të drejtësisë, të bëra publike së fundmi, rezulton qartë se, me firmën e Edi Ramës, Shqipëria është bërë parajsë e pastrimit të parave të krimeve të kryera në vendet e Bashkimit Europian.

Por shqiptarët kanë zgjedhur Europën prej kohësh, prandaj kanë vendosur ta largojnë Edi Ramën.