Puna më e bukur në botë/ Dy tifozë paguhen 50 mijë dollarë për të parë 104 ndeshjet e Botërorit

Për shumicën e tifozëve të futbollit, të ndjekësh çdo ndeshje të Kupës së Botës është një ëndërr.

Për Kevin Kotokon dhe Austin Franklin, kjo ëndërr është shndërruar në realitet, madje në një punë që u sjell plot 50 mijë dollarë.

Dy të rinjtë u përzgjodhën nga mijëra aplikantë në një konkurs të organizuar nga televizioni amerikan Fox, duke fituar mundësinë për të ndjekur të gjitha 104 ndeshjet e Botërorit 2026 nga një kub i posaçëm i vendosur në zemër të Times Square në Nju Jork.

Për gjashtë javë me radhë, ata do të jetojnë mes futbollit, kamerave dhe kuriozitetit të mijëra kalimtarëve.

Kevin Kotoko, tifoz i zjarrtë i Liverpoolit dhe me origjinë nga Florida, tregoi se nuk hezitoi aspak kur mori lajmin.

“E kuptova menjëherë se ishte një mundësi që nuk mund ta humbisja. Të nesërmen i thashë shefave se po largohesha nga puna”, rrëfeu ai.

Në atë kohë, Kotoko punonte si kamerier në një restorant.

Krah tij ndodhet Austin Franklin, një influencer nga Filadelfia.

Të dy fituan pasi publikuan video në rrjetet sociale, ku shpjegonin pse meritonin atë që tashmë po quhet “puna më e bukur në botë”.

Megjithatë, detyra e tyre nuk kufizohet vetëm te shikimi i futbollit.

Ata duhet të krijojnë përmbajtje për rrjetet sociale, të regjistrojnë reagimet e tyre gjatë ndeshjeve dhe të ndërveprojnë me tifozët gjatë gjithë turneut.

Franklin e ka krahasuar eksperiencën me serialin e famshëm “The Truman Show”.

“Ndonjëherë harroj se ku jam. Po shoh ndeshjen dhe papritur vërej dhjetëra njerëz që po na shikojnë ne. Është një ndjenjë shumë e çuditshme”, tha ai.

Prania e tyre në një nga vendet më të vizituara në botë ka tërhequr vëmendjen e mijëra turistëve dhe tifozëve.

Shumë ndalojnë për fotografi, biseda apo pyetje kurioze. Sipas Franklin, pyetja më e shpeshtë është: “Ku shkoni në tualet?”.

Ndërkohë, emocionet e Botërorit nuk mungojnë. Franklin kujton një moment prekës gjatë ndeshjes hapëse mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut, kur një grua me origjinë meksikane i tregoi se i shikonte dikur ndeshjet me babanë e saj të ndjerë.

“Kjo histori pothuajse më bëri të qaj. Këto janë momentet që e bëjnë Botërorin kaq të veçantë”, tha ai.

Pavarësisht sfidës për të ndjekur 104 ndeshje në vetëm pak javë, të dy janë të bindur se po jetojnë eksperiencën e jetës së tyre.

“Jam ulur në një divan dhe po shoh futboll gjatë gjithë ditës. Është fantastike. Mund të them pa asnjë dyshim se kemi punën perfekte”, përfundoi Franklin.