Vendim i rrallë nga Tuchel, Anglia planifikon një ndeshje shtesë gjatë Botërorit

Trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, po shqyrton një lëvizje të pazakontë gjatë Kupës së Botës 2026, me “Tre Luanët” që mund të zhvillojnë një ndeshje miqësore me dyer të mbyllura për të mbajtur të gjithë skuadrën në ritëm garues.

Sipas raportimeve, Anglia është në bisedime për t’u përballur me ekipin e MLS-së, Sporting Kansas City, në një takim stërvitor që pritet të zhvillohet mes ndeshjes së parë të Grupit L ndaj Croacisë dhe sfidës së dytë kundër Ganës.

Federata Angleze e Futbollit ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar, ndërsa diskutimet për organizimin e ndeshjes dhe detajet logjistike vazhdojnë.

Megjithatë, ideja është që futbollistët që nuk do të aktivizohen ose do të kenë pak minuta në ndeshjet zyrtare të mos humbasin formën konkurruese.

Kjo nuk është hera e parë që anglezët ndjekin një strategji të tillë.

Gjatë përgatitjeve për Botërorin, skuadra zhvilloi një ndeshje stërvitore private ndaj ekipit të Inter Miami CF në kampin e saj në Florida.

Nëse realizohet, miqësorja me Sporting Kansas City do t’i japë mundësi stafit teknik të testojë alternativa të ndryshme dhe të mbajë të gatshëm lojtarët rezervë për momentet vendimtare të turneut.

Anglia e nis aventurën e saj në Botërorin 2026 me përballjen ndaj Kroacisë, përpara se të sfidojë Ganën dhe më pas Xhamajkën në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve.

Vendimi i Tuchel tregon se trajneri gjerman nuk dëshiron të lërë asgjë në dorë të rastësisë në përpjekjen për të çuar Anglinë drejt suksesit të madh botëror.