Tre golat rikthejnë debatin Messi-Ronaldo, 86 mijë persona vënë bast për lotët e CR7 në Botëror

Fitorja bindëse 3-0 e Argjentinës ndaj Algjerisë në Botërorin 2026 ka rikthyer edhe një herë debatin e madh mes tifozëve të futbollit: Lionel Messi apo Cristiano Ronaldo?

Ylli argjentinas ishte protagonisti absolut i sfidës, duke realizuar një tripletë spektakolare që e çoi Argjentinën drejt tre pikëve të rëndësishme.

Paraqitja e tij ka pushtuar rrjetet sociale dhe ka rihapur diskutimet mbi rivalitetin historik me Cristiano Ronaldon.

Ndërkohë, vëmendja është zhvendosur te kapiteni i Portugalisë, i cili pritet të zbresë në fushë me presionin për t'iu përgjigjur shkëlqimit të rivalit të tij të përjetshëm.

Sipas raportimeve të “RMC Sport”, platforma e parashikimeve “Polymarket” ka regjistruar një numër të madh bastesh lidhur me fatin e Ronaldos në këtë Botëror.

Madje, mijëra përdorues kanë vendosur baste mbi mundësinë që legjenda portugeze të shpërthejë në lot gjatë turneut.

Media franceze raporton se rreth 86 mijë persona kanë marrë pjesë në këtë treg parashikimesh, duke kujtuar skenën emocionuese të vitit 2022, kur Ronaldo u pa duke qarë pas eliminimit të Portugalisë nga Kupa e Botës në Katar.

Kjo situatë ka shtuar edhe më shumë interesin për paraqitjet e ardhshme të 41-vjeçarit, ndërsa tifozët presin të shohin nëse ai do të arrijë t'i përgjigjet Messit në garën e tyre të pafund për lavdi.

Ndërsa Messi vazhdon të thyejë rekorde me fanellën e Argjentinës, Ronaldo mbetet i vendosur të shkruajë kapituj të rinj në karrierën e tij legjendare.

Botërori 2026 mund të jetë një tjetër skenë ku dy ikonat e futbollit botëror do të krahasohen deri në fishkëllimën e fundit.