'Deklaratat e Ramës për Raportin e PE', Bardhi: PE mbështet kërkesat e protestuesve dhe bën thirrje për të shfuqizuar ndryshimet në ligjin...

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas deklaratave të Kryeministrit Edi Rama lidhur me Raportin e Parlamentit Europian për Shqipërinë, duke theksuar se eurodeputetët kanë mbështetur kërkesat e protestuesve dhe kanë kërkuar shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura.

Në një deklaratë publike, Bardhi u shpreh se Parlamenti Europian “flet me një zë të unifikuar me qytetarët shqiptarë që protestojnë prej ditësh”, duke kërkuar heqjen e dispozitave të papajtueshme të ligjit të ndryshuar për Zonat e Mbrojtura, në përputhje me kërkesat e kahershme të institucioneve europiane dhe kriteret e Kapitullit 27 të negociatave me BE-në.

Sipas Bardhit, amendamenti shtesë i miratuar nga Parlamenti Europian në Raportin për Shqipërinë shpreh shqetësim serioz për zhvillimet brenda zonës së mbrojtur Vjosa-Nartë dhe pasojat që sjellin ndryshimet ligjore për zonat me vlera të rëndësishme ekologjike.

Ai theksoi se eurodeputetët po ndjekin nga afër protestat masive paqësore të zhvilluara kundër këtyre ndryshimeve dhe u bëjnë thirrje autoriteteve shqiptare të vendosin menjëherë një moratorium për të gjitha procedurat e reja të lejeve, ndërtimeve dhe ndërhyrjeve zhvillimore në zonat e mbrojtura.

Më tej, ai nënvizoi se çdo projekt në këto zona duhet t’i nënshtrohet vlerësimeve gjithëpërfshirëse të ndikimit në mjedis, në përputhje me standardet e BE-së dhe me një proces transparent konsultimi me komunitetet lokale, ekspertët dhe shoqërinë civile.

Në përfundim, Bardhi i bëri thirrje Kryeministrit Rama të reflektojë ndaj mesazhit të Parlamentit Europian dhe të mbështesë shfuqizimin e ndryshimeve ligjore. Sipas tij, projektligji për këtë qëllim është depozituar prej një muaji në Kuvend dhe pret votimin nga deputetët.

Deklarata e Gazment Bardhit:

Parlamenti Evropian flet me një zë të unifikuar me qytetarët shqiptarë që protestojnë prej ditësh: të shfuqizohen dispozitat e papajtueshme të Ligjit të ndryshuar për Zonat e Mbrojtura, në përputhje me kërkesën e kahershme të Komisionit dhe Parlamentit Evropian, si dhe me kriteret përmbyllëse të Kapitullit 27.

Por Edi Rama, që duket se ka humbur edhe sensin e të kuptuarit, bën sikur nuk di të lexojë.

Amendamenti shtesë i miratuar sot nga Parlamenti Evropian në Raportin për Shqipërinë:
* shpreh shqetësim serioz se zhvillimet e vazhdueshme brenda zonës së mbrojtur Vjosa-Nartë tregojnë pasojat praktike të këtyre ndryshimeve ligjore dhe rreziqet që ato sjellin për zonat me vlera të njohura ekologjike;
* shpreh se po ndjek nga afër protestat masive paqësore që po zhvillohen në këtë drejtim;
* u bën thirrje autoriteteve shqiptare që të vendosin menjëherë një moratorium për të gjitha procedurat e reja të pajisjes me leje, punimet ndërtimore dhe ndërhyrjet zhvillimore brenda zonave të mbrojtura, derisa të shfuqizohen dispozitat e papajtueshme të Ligjit të ndryshuar për Zonat e Mbrojtura, në përputhje me kërkesën e kahershme të Komisionit dhe Parlamentit Evropian, si dhe me kriteret përmbyllëse të Kapitullit 27, dhe derisa të sigurohet përputhshmëria e plotë me standardet e BE-së për mbrojtjen e natyrës; dhe
* thekson se çdo projekt në këtë zonë duhet t’i nënshtrohet vlerësimeve gjithëpërfshirëse të ndikimit në mjedis, plotësisht në përputhje me standardet e BE-së, duke përfshirë një proces transparent të pjesëmarrjes publike me komunitetet lokale, shkencëtarët dhe shoqërinë civile.

Tani Edi Rama ka vetëm një detyrë: të dëgjojë zërin e eurodeputetëve dhe të shfuqizojë ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura. Projektligji është depozituar prej nesh në Kuvend prej një muaji dhe pret votën e deputetëve.