Incident në Kupën e Botës, ndërhyn ushtria për të rrëzuar dronin

Një incident i pazakontë ka ndodhur në Kupën e Botës pak ditë para ndeshjes së rëndësishme të grupit A mes Meksikës vendase dhe Koresë së Jugut.

Aziatikët kanë pasur dyshime se po spiunohen me dron dhe është dashur ndërhyrja e ushtrisë për të zgjidhur situatën.

Sipas raportimeve të mediave të Koresë së Jugut, droni u shfaq mbi fushën stërvitore pranë Guadalaharës, ndërsa lojtarët po përgatiteshin për seancën e tyre.

Raportohet se dy burra të paidentifikuar e lëshuan dronin nga një zonë banimi aty pranë.

Droni u vu re nga një oficer sigurie i Koresë së Jugut që ishte i pranishëm.

Një anëtar i ushtrisë meksikane përgjegjës për sigurinë e qendrës stërvitore të ekipit më pas bllokoi sinjalin, duke shkaktuar rrëzimin e dronit.

Autorët e dyshuar bëhet e ditur se u treguan më të shpejtë se forcat e sigurisë.

Sipas raportimeve nga fusha stërvitore, ata e morën dronin e rrëzuar dhe ikën.

Mësohet se anëtarët e departamentit të video-analizës së Koresë së Jugut kanë filmuar arratisjen e tyre.

Ngjarja ndodhi në startin e seancës stërvitore, por Federata e Koresë së Jugut iu drejtua menjëherë FIFA-s duke raportuar për incidentin ndërsa edhe policia meksikane ka nisur hetim. Ndeshja mes Meksikës dhe Koresë së Jugut do të jetë përcaktuese për kreun e Grupit A, pasi të dy ekipet kanë fituar ndeshjet e para.