SYRI TV/ Diskutime në PE për situatën në Shqipëri, eurodeputetët denoncojnë:Burimet po përdoren për një pakicë

Protestat masive në Shqipëri, kundër qeverisë Rama, u kthyen në kryefjalë të diskutimeve në Parlamentin Europian. Eurodeputetët ngritën shqetësimin për mungesën e shërbimeve bazike në vend, përqendrimin e burimeve publike në pak duar dhe korrupsionin në vendimet politike. Raportuesi për Shqipërinë, Andrea Schrider, kërkoi rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit.

Syri TV
Situata në Shqipëri dhe protestat masive kundër qeverisë Rama është bërë temë diskutimi në Parlamentin Europian. Eurodeputetja holandeze, Anna Strolenberg, artikuloi në Parlamentin Europian shqetësimet e ngritura nga qytetarët shqiptarë, se paratë e tyre po shkojnë për një grusht njerëzish për shkak të qeverisjes së Edi Ramës.

Shqiptarët kanë dalë në rrugë dhe kërkesa e tyre është e qartë. Sigurisht që duan zhvillim ekonomik, por jo me çdo kusht. Për sa kohë që nevojat bazë nuk plotësohen, si uji, kujdesi shëndetësor dhe një pagë dinjitoze, ata kanë të drejtë të pyesin nëse burimet publike po përdoren për qytetarët apo për një pakicë të privilegjuar. Në fund të qershorit do të udhëtoj në Shqipëri për të dëgjuar qytetarët dhe për të gjetur ide që mund t’i sjellim këtu për t’i ndihmuar, tha Anna Strolenberg

Edhe raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andrea Schrider, ngriti shqetësimin për nivelin e korrupsionit në Shqipëri, duke kërkuar rezultate konkrete.

Duhet të shohim zbatimin e ndryshimeve dhe reformave. Këto janë të rëndësishme për qytetarët dhe ekziston nevoja për të zbatuar reforma të qëndrueshme dhe afatgjata, që forcojnë sundimin e ligjit, që forcojnë drejtësinë sociale dhe reforma që përmirësojnë jetën e njerëzve në mënyrë konkrete. Duhet të ketë zbatim të premtimeve të bëra. Prandaj, pres hapa konkretë në luftën kundër korrupsionit, tha Schrider

Eurodeputeti gjerman, Sebastian Everding, paralajmëroi qeverinë se ndikimi i korrupsionit në vendimet politike rrezikon rrugën europiane të Shqipërisë.

Ne duhet ta themi qartë: aty ku korrupsioni ndikon në vendimet politike, demokracia, sundimi i ligjit dhe mbrojtja e natyrës vihen njësoj nën presion. Kush shkatërron mbrojtjen e natyrës, toleron korrupsionin dhe shpërfill interesat e popullsisë, rrezikon gjithashtu besimin në rrugën europiane të Shqipërisë, tha Sebastian Everding

Ndërsa deputeti Fredi Beleri akuzoi institucionet europiane dhe komisioneren për Zgjerim, Marta Kos, se kanë marrë në mbrojtje kryeministrin Edi Rama, përballë fakteve që vërtetojnë korrupsionin e tij.

Sot, qytetarët shqiptarë protestojnë për mungesën e demokracisë, mungesën e mirëqenies, shkeljen e të drejtës së pronës, manipulimin e drejtësisë, ndërthurjen e qeverisjes me krimin e organizuar dhe, në fund, largimin masiv të të rinjve nga vendi. Heshtja ndaj realitetit, romantizimi i situatës dhe, në shumë raste, identifikimi i Komisioneres Kos me kryeministrin shqiptar interpretohen nga një pjesë e madhe e shoqërisë shqiptare jo si mbështetje për popullin shqiptar në realizimin e ëndrrës së tij europiane, por si mbështetje për Ramën.

Prej ditësh, projektorët e Europës dhe botës janë kthyer drejt Shqipërisë, pas protestave masive të qytetarëve që akuzojnë kryeministrin Edi Rama për vjedhje dhe korrupsion, duke kërkuar dorëheqjen e tij.