Zjarr pranë vendgrumbullimit të mbetjeve në Elbasan

Një zjarr ka rënë këtë të mërkurë në afërsi vendgrumbullimit të mbetjeve pranë zonës së Inceneratorit të Elbasanit, duke përfshirë një sipërfaqe me shkurre dhe bimësi të egër pranë lumit Shkumbin.

Flakët janë përhapur me shpejtësi në një zonë të gjerë, ndërsa shtëllunga të dendura tymi janë bërë të dukshme edhe nga distanca të largëta, duke shkaktuar shqetësim te banorët e zonës.

Në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat po punojnë për izolimin dhe shuarjen e flakëve, ndërsa të pranishme janë edhe efektivët e policisë për monitorimin e situatës dhe garantimin e sigurisë.

Shkaqet e zjarrit mbeten të paqarta, ndërsa pritet një vlerësim i plotë i dëmeve pas neutralizimit të vatrës së zjarrit.