SYRI TV/ Fier, banorët e Mbrostarit pa ujë të pijshëm: Vjen një herë në 3 ditë, situata përsëritet çdo verë

SYRI TV

Banorët e lagjes së poshtme në fshatin Mbrostar, në Fier, vuajnë mungesën e ujit të pijshëm. Sipas banorëve, kjo situatë është e përsëritur sa herë që vjen vera, ndërsa siç theksojnë ata, edhe kur vjen një herë në 3 ditë, uji është i papërdorshëm, ashtu si janë edhe puset që ata kanë hapur vet. Një tjetër problem për banorët e kësaj zone, janë edhe kanalet e ujërave të zeza

Dhjetëra familje në lagjen e poshtme të fshatit Mbrostar në Fier po përballen prej muajit maj me mungesën e ujit të pijshëm, një problem që sipas tyre përsëritet çdo verë. Banorët shprehen se uji shkon në rubinetat e tyre vetëm një herë në tre ditë, edhe në ato raste ai nuk është i përshtatshëm për përdorim, pasi vjen i ndotur. Për shkak të kësaj situate, një pjesë e familjeve kanë hapur puse në oborret e banesave, por edhe uji i tyre, është bërë i papërdorshëm.

Banorët thonë se kanë bërë vazhdimisht ankesa pranë institucioneve përgjegjëse, por deri më tani nuk është ndërhyrë për zgjidhjen e problemit. Një tjetër shqetësim mbeten edhe kanalet anës rrugëve dhe pranë banesave, ku ujërat e zeza qarkullojnë në sipërfaqe.

 Mjafton një vëzhgim në rrugët dhe rrugicat e lagjes për të parë gjendjen e rënduar: kanalet janë të pa pastruara dhe ujërat e ndotura qarkullojnë hapur pranë banesave, duke krijuar një problem serioz mjedisor dhe shëndetësor për komunitetin.