Real Madridi i kërkon zyrtarisht UEFA-s të ndëshkojë Barcelonën për çështjen ‘Negreira’
Real Madridi ka njoftuar përmes një komunikate zyrtare se ka paraqitur një raport pranë organit disiplinor të UEFA-s lidhur me të ashtuquajturën “çështja Negreira”, ashtu siç kishte premtuar më herët presidenti i klubit, Florentino Pérez.
Në dokumentin e dorëzuar, klubi madrilen argumenton se pagesat e kryera nga Barcelona ndaj ish-zëvendëspresidentit të Komitetit Teknik të Arbitrave të Federatës Spanjolle të Futbollit, José María Enríquez Negreira, përbëjnë një “rrezik sistemik jashtëzakonisht serioz për integritetin e garave”.
Sipas Real Madridit, ekzistojnë prova të rëndësishme që përforcojnë dyshimet e njohura prej kohësh mbi pagesa të kryera për një periudhë të gjatë, në mënyrë jo transparente dhe pa një justifikim të verifikueshëm. Klubi pretendon se këto pagesa janë realizuar përmes strukturave të ndryshme shoqërore dhe se ato tregojnë ekzistencën e një ndikimi të papërshtatshëm mbi sistemin e arbitrimit.
Në komunikatë theksohet se kjo situatë bie ndesh me parimet themelore të sportit, si barazia në garë, neutraliteti, paanshmëria dhe paparashikueshmëria e rezultateve sportive.
Për këtë arsye, Real Madridi i ka kërkuar UEFA-s të riaktivizojë menjëherë procedurën disiplinore të hapur më herët për këtë çështje dhe të marrë masat që i konsideron të nevojshme për të garantuar integritetin dhe transparencën e kompeticioneve evropiane.
Klubi spanjoll thekson se veprimet disiplinore duhet të zhvillohen pavarësisht procesit penal që vazhdon ende në gjykata. Sipas tij, zvarritja e kësaj çështjeje dëmton seriozisht besueshmërinë e futbollit, institucioneve të tij dhe drejtuesve të sportit.
Në fund, Real Madridi nënvizon se do të vazhdojë të marrë pjesë në procesin gjyqësor si palë akuzuese dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore që konsideron të nevojshme gjatë zhvillimit të procedurave.