PE shuplakë Ramës e Marta Kos: Të shfuqizohen ndryshimet në ligjin për Zonat e Mbrojtura e investimet strategjike

Parlamenti Europian i dha një shuplakë sot kryeministrit Edi Rama ndërsa miratoi rezolutën mbi Raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2025, duke shprehur shqetësime serioze për zhvillimet që po vijojnë brenda Zonës së Mbrojtur Vjosa-Nartë dhe duke theksuar se sundimi i ligjit dhe standardet mjedisore të Bashkimit Europian janë kushte të panegociueshme për anëtarësim.

Rezoluta kërkon shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, një legjislacion që ka mundësuar shkatërrimin e një prej zonave natyrore më të jashtëzakonshme të Mesdheut dhe ka nxitur protestat më të mëdha qytetare që Shqipëria ka përjetuar në dekada.

Rezoluta kërkon gjithashtu një “moratorium të menjëhershëm për procedurat e reja të lejeve, punimet e ndërtimit dhe ndërhyrjet zhvillimore brenda zonave të mbrojtura, deri në shfuqizimin e dispozitave të papajtueshme të Ligjit të ndryshuar për Zonat e Mbrojtura në Shqipëri dhe garantimin e përputhshmërisë së plotë me standardet e BE-së për mbrojtjen e natyrës”.

Më shumë se 100 mijë shqiptarë kanë dalë në rrugë gjatë 18 ditëve të fundit në atë që tashmë njihet në mbarë botën si ‘Revolucioni i Flamingove’, një kryengritje qytetare kundër shkatërrimit të paligjshëm të pyjeve, dunave të lashta dhe habitateve të mbrojtura në Peizazhin e Mbrojtur Vjosa-Nartë.

Rezoluta e miratuar kërkon në mënyrë të veçantë shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, të cilat lejojnë ndërtimin e infrastrukturës turistike në shkallë të gjerë brenda zonave të mbrojtura dhe dobësojnë mekanizmat kryesorë të kontrollit mjedisor. Eurodeputetët shprehën gjithashtu shqetësim të thellë për Ligjin për Investimet Strategjike në Shqipëri, pasi procedurat e përshpejtuara të lejeve rrezikojnë të anashkalojnë kontrollin mjedisor në zona të ndjeshme.

Rezultati i votimit të sotëm bie në kontrast të fortë me reagimin e Komisionit Europian, me komisioneren Marta Kos, mikes së Ramës,  ndaj shkeljeve të konstatuara. 

Më 15 qershor, komisionerja Kos deklaroi se Komisioni kishte marrë garanci nga qeveria shqiptare se do të kryhej një vlerësim i ndikimit në mjedis, duke injoruar faktin se punimet e paligjshme kanë ndodhur tashmë, pa leje, pa transparencë dhe pa një vlerësim të tillë. Duket se Parlamenti Europian ka treguar më shumë vendosmëri sesa Komisioni në mbrojtjen e ligjeve të Bashkimit Europian.

Peizazhi i Mbrojtur Vjosa-Nartë është pjesë e sistemit të fundit të paprekur deltë në Mesdhe. Ai strehon mbi 200 lloje shpendësh dhe më shumë se 70 specie të rrezikuara, ndodhet në një prej korridoreve më të rëndësishme migratore në Europë dhe përbën habitat jetik për fokën mesdhetare dhe breshkën detare kokëmadhe (Caretta caretta), specie për të cilat shtete anëtare të BE-së si Greqia, Italia dhe Kroacia kanë detyrime ligjore mbrojtjeje. Ajo që ndodh në këtë zonë nuk mbetet vetëm një çështje e Shqipërisë.

Që nga fillimi i majit 2026, punimet kanë vijuar brenda zonës së mbrojtur pa asnjë projekt të publikuar, pa vlerësim të ndikimit në mjedis, pa konsultim publik dhe pa leje të vlefshme, në kundërshtim të drejtpërdrejtë me angazhimet e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit, si në fushën e acquis mjedisor, ashtu edhe në Kuadër të Grupkapitullit 1 për sundimin e ligjit. Kjo i shtohet edhe ndërtimit të kundërshtuar të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës në të njëjtën zonë, i cili nisi në nëntor 2021./birdlife.org/