Trump vonohet në G7 në Evian: ‘Unë jam shefi’ dhe merr vendin në krye të tavolinës
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka mbërritur me rreth një orë vonesë në samitin e G7 në Evian, ku nuk kanë munguar batutat e tij.
“Unë jam shefi”, u shpreh Trump gjatë mbërritjes në takim.
Sipas mediave, ai është ankuar gjithashtu se në sallë kishte “shumë vapë” dhe më pas është ulur në krye të tryezës, në një atmosferë të përgjithshme joformale.
Më vonë, në samit, liderët e G7 miratuan një deklaratë të përbashkët ku vlerësohej “udhëheqja e fortë” e presidentit amerikan në arritjen e një marrëveshjeje paraprake me Iranin, të cilën e cilësuan si “mundësi historike” për të parandaluar zhvillimin e armëve bërthamore nga Teherani.
Në dokument theksohej gjithashtu nevoja për një “marrëveshje gjithëpërfshirëse diplomatike”, e cila pritet të shoqërojë një memorandum që zyrtarët amerikanë dhe iranianë planifikojnë të nënshkruajnë në Zvicër.
Ndërkohë, pavarësisht vlerësimeve për Trump, liderët e G7 riafirmuan “mbështetjen e palëkundur” për Ukrainën dhe njoftuan forcimin e sanksioneve ndaj Rusisë. Kjo vjen edhe pas deklaratave të mëparshme të Trump, ku ai kishte sugjeruar se SHBA “nuk kanë të bëjnë fare” me luftën.