Skulptura që materializon cinizmin e një kryeministri
Nga Luçiano Boçi/
Rama ka luajtur gjithnjë me simbolikën për të përcjellë e nxjerrë nga brenda qoftë dhe instinktivisht, projeksionet e së keqes e shëmtuarës, jo së bukurës, jo thjesht si kategori estetike.
Skulptura e Ramës e prezantuar në Zvicër, paraqet një trup të përkulur njerëzor të deformuar, të ngarkuar, gati të dërrmuar nga një masë e madhe pa formë, sipër tij.
Dhe këtë figurë e krijon vetë ai që mban pushtetin.
Kjo skulpturë nuk është thjesht një formë abstrakte.
Është një shpërthim i brendshëm e në të mund të lexohet psikologjia e një pushteti që nuk matet më me realitetin, por me fantazinë e vet. Një pushtet që fryhet, zmadhohet, deformohet, derisa humbet përmasën njerëzore.
Figura duket sikur mban mbi vete një barrë të çuditshme e gërshetuar me ego, frikë, agresion, fantazi madhështie, dëshirë për kontroll.
Natyrshëm këtu lind pyetja që a është kjo ndjeshmëri artistike, apo pavetëdija e vetëdija cinike e pushtetit që rrëfen veten?
Autori mos harroni nuk është nuk është një vëzhgues i jashtëm.
Nuk është një qytetar që proteston me formë, bronz e metaforë.
Është kreu i qeverisë.
Pra njeriu që ka në dorë peshën institucionale, administrative, ekonomike dhe politike mbi qytetarin.
Kjo e bën skulpturën thuajse një autoportret politik. Jo të njeriut që vuan, por të mendësisë që e vendos me urrejtje njeriun poshtë peshës.
Në këtë kuptim, vepra nuk flet më vetëm për barrën ekzistenciale. Flet për mënyrën si pushteti e vetë Rama e sheh njeriun: si mbajtës, si trup, si kolonë, si strukturë që duhet të durojë.
Sipër rritet masa, poshtë deformohet qenia.
Dhe, natyrisht, dikush do ta quajë art, sepse arti sot ka prirjen e materializimit dhe të aestetikes.
Një kryeministër që krijon figurën e njeriut të shtypur nga pesha, ndërkohë që vetë është pjesë e peshës, nuk prodhon vetëm art. Prodhon një rrëfim të pavullnetshëm për marrëdhënien e tij me njeriun, qytetarin dhe pushtetin.
Kjo skulpturë, e lexuar kështu, nuk është thjesht objekt estetik.
Është dëshmi psikike e pushtetit.
Një pushtet që e sheh njeriun të përkulur dhe, në vend që ta ngrejë, e kthen në formë artistike.