'Luajnë dy vende afrikane', komentatori argjentinas nën akuzë për ironinë ndaj Francës
Një koment i bërë gjatë transmetimit të ndeshjes mes Francës dhe Senegalit ka shkaktuar reagime të forta dhe debat në rrjetet sociale.
Në qendër të polemikës është komentatori argjentinas Pablo Giralt, i cili gjatë transmetimit në DirecTV Sports e përshkroi sfidën si “një përballje mes dy vendeve afrikane”, duke iu referuar origjinës familjare të disa lojtarëve të Francës.
Deklarata nuk kaloi pa u vënë re dhe shumë përdorues të rrjeteve sociale e cilësuan atë si të papërshtatshme, madje duke e akuzuar komentatorin për racizëm. Kritikat u përqendruan te fakti se një pjesë e futbollistëve francezë kanë prejardhje nga vende të ndryshme afrikane, por kanë lindur ose janë rritur në Francë dhe përfaqësojnë ligjërisht dhe sportivisht vendin europian.
Franca konsiderohet prej vitesh një nga përfaqësueset që pasqyron më mirë multikulturalizmin në futbollin modern. Skuadra ka përfshirë ndër breza lojtarë me rrënjë nga kontinente dhe kultura të ndryshme, duke e bërë diversitetin një nga karakteristikat e saj më të spikatura.
Pamjet dhe videoja e komentit u shpërndanë me shpejtësi në internet, duke rikthyer një debat që është shfaqur disa herë gjatë viteve të fundit rreth identitetit dhe përfaqësimit në sport.
Ndërkohë, në aspektin sportiv, Franca festoi një fitore 3-1 ndaj Senegalit në ndeshjen e saj të Botërorit, por polemika e krijuar nga komentet televizive rrezikon të vazhdojë të tërheqë vëmendje edhe në ditët në vijim.