SYRI TV/ Ndarje klienteliste e hapësirave të plazheve, Gëzim Bushati denoncon situatën në Shëngjin
Dhënia e hapësirave publike tek të fortët dhe në mënyrë klienteliste po sjell viktima, por edhe sherre. Plagosjen në Kune të Lezhës disa ditë më parë e ka paralajmëruar qytetari Gëzim Bushati, i cili ende nuk po merr pronën e tij dhe akuzon Pjerin Ndreun se po vepron si kryeministër nga Miloti e sipër, për ndarjen e hapësirave publike. Sipas Bushatit, drejtësia për këtë çështje nuk po vepron.
SYRI TV
Ndarja klienteliste, pa ligj, dhënia te fortëve e hapësirës së bregdetit po sjell viktima, siç në ditët e fundit sherri për plazhin në Kune të Lezhës ka shkaktuar një të plagosur në mes të pushuesve. Por kjo ishte një ngjarje e paralajmëruar, pasi kohë më parë, viktimë e këtyre skemave ka rënë edhe qytetari Gëzim Bushati. Ky i fundit tregon se si është plagosur dhe se Pjerin Ndreu i shërben karteleve duke u dhënë hapësirat e plazheve.
"Sepse kam akses në përdorimin e kësaj prone, siç e parashikon ligji, por me ligjet e reja të Pjerinit nuk më takon mua. Ajo është e Pjerinit dhe ai mund të bëjë çfarë të dojë me këtë pronë. Është marrë dhe u është dhënë kartelit, e cila çdo ditë prodhon konflikte. Jo më larg se para pak ditësh, po në këtë vend, pikërisht për këto sipërfaqe rëre, kanë ndodhur plagosje të shkaktuara nga veprimi ose mosveprimi, si mund ta quajmë, i ligjit. Nga bashkia 12 mijë metër katrorë që shfrytëzohet nga karteli i David Ndokës dhe Pjerin Ndreut, me motivacionin: “kemi folur me Ramën”. Edhe unë jam plagosur me armë. Është mbyllur çështja nga Prokuroria e Lezhës me motivacionin: “nuk kemi çfarë t’i bëjmë dot”, sepse ka folur Pjerini me Ramën, ka tetë vjet.
Gjithashtu Bushati akuzon Drejtësinë që nuk vepron, duke treguar se ka bërë kallëzim për pronën e tij dhe organet e akuzës nuk kanë ndërmarrë asnjë masë për këtë çështje.
"Që karteli ka privatizuar gjithë Shqipërinë, ka privatizuar edhe pronën time me dokumente të falsifikuara. Ka vendime të pafundme gjykatash që e deklarojnë se prona është e falsifikuar. Kam tre vjet që kam bërë denoncimin përkatës me dokumentet përkatëse dhe nuk ka asnjë lloj veprimi. Nuk arrij ta kuptoj ku është vështirësia për të hetuar një vepër penale që është gërma e parë e ligjit.
Sipas Bushatit, Pjerin Ndreu vepron si kryeministër nga Miloti e sipër. Madje ai tregon se i ka bërë ankesë edhe kreut te qeverise por pretendon se ankesën e tij ja ka kaluar karteleve
"As kryetari i Bashkisë Pjerin Ndreu, i cili thotë se nga ura e Milotit e lart jam unë kryeministër, e të vijë Rama është deri te ura e Milotit. Dhe mesazhet që unë ia kam dërguar pikërisht në lidhje me këtë çështje, ia ka dërguar pikërisht kartelit. Kam pasur edhe komunikime, derisa më ka bllokuar telefonin"
Zaptimi i hapësirave të plazheve nga persona të fortë e krimi ka prodhuar vazhdimisht viktima e konflikte, ndërsa të gjitha këto zaptime bëhen me bekimin e shtetit.