Ibra ‘thumbon’ Haaland-in: ‘Killer’ në zonë, por unë isha më i kompletuar
Zlatan Ibrahimović nuk i ka kursyer aspak komentet e tij të zakonshme provokuese, këtë herë duke u ndalur tek ‘ylli’ norvegjez, Erling Haaland, pas paraqitjes së tij me dopietë në fitoren 4-1 të Norvegjisë ndaj Irakut në Botërorin 2026.
Duke folur si opinionist, Ibrahimović reagoi ndaj krahasimeve që po bëhen mes tij dhe Haaland-it, duke e minimizuar idenë se norvegjezi mund ta tejkalojë në historinë e futbollit.
“Nuk jam i sigurt për këtë. Haaland duhet të bëjë shumë më tepër për të arritur nivelin e një fenomeni si unë. Ai është një ‘killer’ në zonë, por është i kufizuar. Bën atë që duhet, por nuk shpenzon më shumë energji sesa është e nevojshme,” u shpreh suedezi.
Ibra shkoi edhe më tej, duke rikujtuar një deklaratë të mëparshme të Haaland-it, i cili kishte thënë se ëndërron të prekë dy herë topin dhe të shënojë dy gola. Suedezi iu përgjigj me stilin e tij karakteristik: “Ëndrra ime do të ishte të prekja dy topa dhe të shënoja tre gola.”
Megjithatë, në anën tjetër, Haaland tregoi një qëndrim më të qetë pas ndeshjes, duke pranuar se statistikat aktuale nuk e vendosin ende në krye të sulmuesve botërorë. Ai përmendi se lojtarë si Harry Kane dhe Kylian Mbappé kanë shënuar më shumë gola se ai, duke pranuar realitetin e renditjes së sulmuesve në këtë moment.
Debati mes legjendës së futbollit dhe ‘yllit’ të ri norvegjez ka shtuar edhe më shumë vëmendjen ndaj performancave të Haaland-it në Botërorin 2026, ku ai po konfirmohet si një nga protagonistët kryesorë të turneut.