Miliona euro të fshehura në fuçi 50-litroshe/ Bisedat e krimit në kohën kur Rama kërkonte amnisti fiskale

Komunikimet në SKY ECC të anëtarëve të rrjetit kriminal të trafikut të kokainës, të goditur të martën nga SPAK, kanë nxjerrë në dritë për hetuesit mënyra të pazakonta të fshehjes së parave cash.

Në një bisedë të gushtit 2020 mes vëllezërve Isa Aliu e Shpëtim Aliu, i pari i thotë se ka në gjendje 6 milionë euro cash.

Disa ditë më vonë Shpëtim Aliu i thotë se do të ketë në vijim edhe 20 milionë të tjera, ndërsa e orienton për mënyra të fshehjes së parave cash, përfshi groposjen e tyre, të futura në fuçi 50-litroshe.

SPAK ka ngritur dyshime se Isa Aliu ka marrë të paktën 30 milionë euro nga vëllai i tij Shpëtim Aliu, i njohur dhe si Salvadore, të cilat i ka investuar në fushën e ndërtimit.

Grupi i goditur nga SPAK ka trafikuar të paktën 50 ton kokainë.

Por kjo bisedë është bërë pikërisht në kohën kur Edi Rama po kërkonte amnistinë fiskale në vitin 2020.

Në një deklaratë në prill të atij viti, Edi Rama lajmëronte se qeveria do miratonte amnistinë fiskale brenda majit. Sipas tij, qëllimi do ishte legalizimi i parave në të zezë.

“Fjala është për amnistinë fiskale, një amnisti fiskale të domosdoshme, pasi për 30 vite qindra mijëra qytetarë në emigracion kanë punuar në punë nga më të ndryshimet dhe kanë plot kursime, që kanë pasur dhe kanë pa mundur t’i depozitojnë, duke vazhduar edhe me një shumicë në Shqipëri. Do të jetë gjithëpërfshirëse, që do të synojë lehtësimin maksimal të atyre në emigracion dhe atye që jetojnë këtu dhe që janë në nevojën 30-vjeçare për të formalizuar paranë joformale që kanë në dispozicion,” tha Rama.

Kujtojmë se kjo amnisti u kundërshtua me forcë nga Evropa dhe të tjera institucione të rëndësishme ndërkombëtare.