Është kërcënuar një deputete e Kuvendit të Shqipërisë: Ku është SPAK?

Deputetja Marjana Koçeku, kryesuese e listës së Partisë Socialiste për Qarkun Shkodër, ka tronditur opinionin publik me reagimin e saj, ku pretendon se është kërcënuar nga banda famëkeqe e Bajrave të Shkodrës pas largimit të saj si deputete e PS-së dhe daljes si e pavarur.

Sinjalet për një kërcënim të mundshëm erdhën që ditën e parë që ajo u distancua nga Rilindja, ku Pjerin Ndreu, kryebashkiak i Lezhës, i njohur për lidhjet e tij me bandat, i kërkoi Koçekut mandatin, pasi sipas tij ai mandat i përket Partisë.

Menjëherë pas bërjes publik të kërcënimit nga Bajrat, të cilëve Koçeku iu adresua drejtpërdrejt, reagoi avokati i tyre. Pra, një reagim flakë për flakë, çka rrit dyshimet për vërtetësinë e pretendimeve të Koçekut.

Por në gjithë këtë situatë të rëndë, ende pa reagim është SPAK-u, që në fakt do të duhej të reagonte i pari. Por, ‘çuditërisht’, Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk ka asnjë reagim.

Kujtojmë se SPAK ngriti një Task Forcë për zgjedhjet e fundit në Shqipëri, por Bajrat nuk ishin asnjëherë subjekt i saj, edhe pse denoncimet me fakte, si nga opozita ashtu edhe nga media, nuk munguan për përfshirjen e këtij grupi kriminal në tjetërsimin e vullnetit të qytetarëve në favor të partisë në pushtet.

Mbetemi në pritje të ndonjë reagimi të SPAK-ut për pretendimin e një deputeteje të Kuvendit të Republikës.