‘Të rinjtë po braktisin universitetet’/ Pedagogia Deda: Sistemi i detyron të largohen, në pamundësi për të kontribuar
Djemtë po braktisin universitetet, deputetja e PD zbulon shifrat tronditëse dhe arsyen pse po zbrazet Shqipëria
Shifrat alarmante të rënies së numrit të studentëve djem në universitetet shqiptare dhe eksodi i pandalshëm i të rinjve kanë qenë në qendër të një takimi të organizuar nga Departamenti i Arsimit.
Nora Deda, pedagoge në Universitetin e Shkodrës ‘Luigj Gurakuqi’, gjatë fjalës së saj theksoi se djemtë po e braktisin masivisht rrugën e universitetit.
Ky fenomen u shpreh ajo, vjen si pasojë e drejtpërdrejtë e një sistemi që nuk ofron asnjë motivim dhe mbyll dyert për të rinjtë që duan të kontribuojnë në vendin e tyre.
Gjatë fjalës së saj, Deda u ndal edhe te ndryshimi i ligjit për Akademinë e Shkencave, një lëvizje e bërë ekskluzivisht për t'i hapur rrugën Skënder Gjinushit drejt kreut të këtij institucioni.
Ndërkohë që ligjet ndryshohen për të akomoduar individë të caktuar, institucionet akademike, theksoi ndër të tjera pedagogia e Shkodrës, kanë humbur vlerën e tyre në kërkimin shkencor, duke dështuar në zbatimin e modeleve të suksesshme ndërkombëtare për t'i shërbyer vetëm njërës palë.
Së pari dua të falënderoj dhe Departamentin e Arsimit për këtë takim. Mendoj që është vërtet e vlefshme për të folur jo vetëm për arsimin por edhe për lëvizjen studentore 2.0 ose të rinjtë. Si një nga deputetet më të reja në parlament, mendoj që dhe një nga anëtarët e Komisionit të Arsimit, mendoj që kemi parë në katër vitet e fundit zhvillime shumë dekurajuese për Shqipërinë. Ne si opozitë kemi qenë aty, kemi qenë gjithmonë pjesë e tavolinës për diskutime, por kemi parë që jemi të detyruar të përballemi me një mazhorancë e cila nuk pranon diskutime, nuk pranon vërejtje dhe arroganca është në nivele ekstreme. Për më tej, niveli i analfabetizmit funksional në disa pjesë të atij parlamenti lë shumë për të dëshiruar dhe e bën shumë të vështirë si një i ri apo si një deputet i cili do të kontribuojë për të ardhmen, për të rinjtë, për Shqipërinë, për familjen, dhe sidomos për arsimin, e bën një sfidë shumë të vështirë.
Në vitet e fundit ne kemi parë ndryshimin e ligjit për Akademinë e Shkencave, ku ligji ndryshoi vetëm për një komponent dhe ishte hapja e rrugës që Skënder Gjinushi të ishte kryetari i këtij komisioni. Dhe në fakt për mua është një nga ngjarjet e cila denigron të ardhmen e Shqipërisë dhe e cila na tregon neve në fakt bursën e Partisë Socialiste apo të mazhorancës në tërësi, të cilët janë të gatshëm të ndryshojnë edhe ligje, jo për mirë, por për të hapur rrugë që vetëm disa persona të kenë mundësi të kenë një post të caktuar duke mos i shërbyer në asnjë moment të caktuar kombit. U tha pak më parë fakti që Akademia e Shkencave nuk funksionon dhe nuk përbën vlerë për kërkimin shkencor. Sepse ne si të rinj e dimë shumë mirë, dhe besoj që të gjithë pedagogët këtu mund të flasin se si është kërkimi shkencor në Shqipëri, si funksionon. Fakti që shumë prej nesh detyrohemi apo duam të kemi studime të cilat i vlejnë Shqipërisë, por që në të vërtetë nuk i vlejnë Shqipërisë, sepse në vende të tjera modelet që mund të ofrohen dhe të pilotohen në Shqipëri janë shumë të thjeshta, mund të bëhen, por nuk duan të bëhen. Dhe për çfarë arsye? Që ky sistem të favorizojë vetëm njërën palë. Të mos e favorizojë vërtet rininë, apo njerëzit të cilët duan të qëndrojnë intelektualë dhe të luftojnë për këtë vend. I detyron të rinjtë e Shqipërisë të largohen pa u kthyer dhe pa patur kurrë mundësinë që në të vërtetë të kontribuojnë për Shqipërinë, sepse nuk e ofron, siç e thamë më përpara, nuk dinë çfarë dyer të hapin edhe kur duan t'i hapin dyer.
E dyta në fakt është momenti që ne po shohim ku studimi më i fundit tregon që në 100% të një brezi të ri, pra në brezin e fundit që është marrë kampioni i studimit, 100% i atij brezi, nga 24% i 100-shit të një brezi të caktuar që është kampionuar, shkojnë në universitet. Dhe nga 24%, 18% ishin vajza. Pra çfarë po ndodh? Djemtë nuk duan të zgjedhin më rrugën e arsimit të lartë. A është vërtet arsimi i lartë aty ku duhet? Apo motivohet kjo rini? Dhe në fakt, unë mendoj që të gjitha diskutimet e sotme, çfarë u folën dhe çfarë po flitet përtej selisë dhe në atë shesh, vlejnë shumë. Sepse po shohim për herë të parë ne, të rinjtë demokratë, po shohim të ngjashmit tanë që janë të gatshëm të dalin në shesh dhe të japin mesazhin që ajo protestë, jo vetëm do mbështetur, sepse ajo protestë është protestë përtej kauzës primare që pati. Është protestë opozitare në frymën e saj. Është protestë e cila kërkon ndryshim. Është protestë e cila do rininë të jetë në ballë të parë, do mbështetje, do përkrahje dhe do ndryshimin të cilën Shqipëria e meriton.
Duhet që ne të mbrojmë familjen, duhet që ne ta mbrojmë kombin, duhet që ne të reagojmë në kohën e duhur për ndryshimet që bëhen, pavarësisht se ndonjëherë edhe në parlament nuk mund të reagosh sepse në shumicën e kohës qeveria është duke bërë procedura të përshpejtuara, në më pak se një javë duke kaluar projektligje të mëdha, me impakt shumë të madh, siç ishin paketa e maleve apo shumë e shumë të tjerë, ndryshimi në KKT që tani është KKTU, e të tjerë e të tjerë, sepse janë shumë për t'u diskutuar. Por mesazhi im është ky: unë si një e re, si një e re pranë Partisë Demokratike, si një deputete e parlamentit shqiptar e cila ka kontribuar për të formësuar një frymë tjetër, dua të mbështesim atë protestë për të kuptuar që rinia në fakt ka forcën dhe ka mbështetjen nga Partia Demokratike, sidomos, për të ecur përpara dhe për të bërë ndryshimin. Sepse ky është momenti i cili na takon ne, opozitarëve, të cilët kemi kontribuar në kaq vite dhe kemi qenë në momentet më të caktuara, ne nuk kemi heshtur dhe nuk kemi pranuar të heshtim, prandaj ne meritojmë të jemi atje, në krah me ta, dhe mendoj që gjithçka e mirë mund të bëhet.