Jo vetëm armët dhe drogat, FIFA ndalon edhe puthjet ‘tepër pasionante’ në stadiume

Rregullat e sjelljes në stadiumet e Botërorit 2026 po bëhen gjithnjë e më të detajuara dhe të rrepta. Sipas udhëzimeve të Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA), ndalimet nuk kufizohen vetëm te armët, droga apo materialet e rrezikshme, por përfshijnë edhe shfaqje afeksioni të konsideruara “të papërshtatshme”.

Sipas raportimeve, përfshirë edhe ato të medieve gjermane si “Bild”, në stadiumet e Botërorit do të ndalohen sjellje si fyerjet, pirja e duhanit, përdorimi i cigareve elektronike, gjestet ofenduese dhe bastet e paligjshme. Por në listë është përfshirë edhe një kategori e veçantë: “shfaqje të papërshtatshme të afeksionit”.

Ky term i përgjithshëm përfshin sjellje si përqafime apo efuzione tepër të forta, ndërsa në interpretimin e aplikuar në SHBA, mund të përfshijë edhe puthjet e zgjatura dhe shumë pasionante. Megjithatë, puthjet e shkurtra midis tifozëve mbeten të lejuara.

FIFA nuk ka përcaktuar zyrtarisht kufij të saktë për këtë rregull, duke i lënë hapësirë interpretimi stjuardëve në stadium për të ndërhyrë vetëm në rastet kur sjellja konsiderohet e tepruar ose shqetësuese për spektatorët e tjerë.

Deri tani nuk janë raportuar raste të tifozëve të ndëshkuar për puthje në stadium, ndërsa rregulla të ngjashme ekzistojnë prej kohësh në disa kode sjelljeje të eventeve sportive në Shtetet e Bashkuara.

Përveç këtyre, në stadiume ndalohen edhe disa objekte të pazakonta si mielli, letra higjienike, balona dhe flamurë që tejkalojnë përmasat e lejuara nga organizatorët.