8 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës, që zgjidhi mosmarrëveshjen mes Maqedonisë së Veriut e Greqisë

Para tetë vitesh, më 17 qershor 2018, në brigjet e Liqenit të Prespës në territorin e Greqisë, Shkupi dhe Athina nënshkruan Marrëveshjen e Prespës, me të cilën u zgjidh mosmarrëveshja shumëvjeçare për emrin mes dy vendeve.

Marrëveshja erdhi pas disa muajsh negociatash intensive mes Shkupit dhe Athinës, ndërsa dokumentin e nënshkruan shefat e atëhershëm të diplomacisë së dy vendeve, Nikola Dimitrov dhe Nikos Kotzias.

Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes morën pjesë kryeministrat e atëhershëm Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras, përfaqësuesi i posaçëm i atëhershëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për çështjen e emrit, Matthew Nimetz, përfaqësues të lartë të atëhershëm të Bashkimit Evropian (BE), përfaqësues të lartë ndërkombëtarë, si dhe përfaqësues nga të dy vendet.

Më 30 shtator 2018, më shumë se tre muaj pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës, u mbajt një referendum konsultativ në të cilin qytetarët u përgjigjën në pyetjen për anëtarësim në BE dhe NATO përmes pranimit të marrëveshjes me Greqinë.

Pyetja e referendumit ishte: "A jeni për anëtarësim në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë".

Sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), në referendum dolën 36,91 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve, prej të cilëve 91,47 për qind votuan "pro". Opozita e atëhershme e bojkotoi referendumin.

Tetë muaj pas nënshkrimit dhe pas ratifikimit të tij në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut dhe në Parlamentin grek, Marrëveshja e Prespës më 12 shkurt 2019 hyri zyrtarisht në fuqi.

Sipas kësaj, Republika e Maqedonisë e ndryshoi emrin në Republika e Maqedonisë së Veriut.

- Maqedonia e Veriut u bë anëtarja e 30-të e NATO-s, nisi negociatat për anëtarësim në BE

Vendi u bë anëtarja e 30-të e NATO-s në vitin 2020, ndërsa edhe pse mosmarrëveshja për emrin për vite me radhë u konsiderua si pengesë për integrimet evropiane të vendit, edhe pas zgjidhjes së saj Marrëvekjoshja nuk e hapi plotësisht rrugën e vendit drejt BE-së.

Pas ndryshimit të emrit, Maqedonia e Veriut, së bashku me fqinjin perëndimor Shqipërinë, nisi negociatat për anëtarësim në BE më 19 korrik të vitit 2022.

Maqedonia e Veriut, e cila mori statusin e "vendit kandidat" që në vitin 2005, pritet të fillojë hapjen e kapitujve për anëtarësim në BE pasi të bëjë ndryshimet e nevojshme kushtetuese që burojnë nga protokolli dypalësh i nënshkruar me Bullgarinë.

Për këtë nevojitet shumicë prej dy të tretave në Parlamentin me 120 deputetë të Maqedonisë së Veriut, përkatësisht për këtë duhet të votojnë 80 deputetë./ AA.