Kërkuesi shkencor në SHBA: Po shkatërrohet arsimi, edhe akademikët t’i bashkohen protestës
Në aktivitetin e zhvilluar sot nga Departamenti i Arsimit të Partisë Demokratike dhe ‘Lëvizja Studentore 2.O’ me pjesëmarrjen e doktor Berishës, Sofokli Cakalli, pjesë e Departamentit “Brain Gain” dhe kërkues shkencor në SHBA, denoncoi krizën e thellë të arsimit në Shqipëri, mungesën e meritokracisë dhe largimin e të rinjve, duke e cilësuar vendin si një hapësirë që nuk prodhon më kapital intelektual.
Sofokli Cakalli theksoi se një nga problemet më të mëdha të Shqipërisë është shkatërrimi i sistemit arsimor dhe mungesa e meritokracisë, duke e cilësuar vendin si një hapësirë ku nuk prodhohet më kapital intelektual. Ai u shpreh se mungesa e mendimit kritik dhe niveli i dobët i universiteteve kanë sjellë një situatë ku të rinjtë nuk janë të përgatitur as për tregun vendas dhe as për atë europian, ndërsa Shqipëria, është kthyer në një vend që nuk gjeneron më zhvillim të qëndrueshëm përmes dijes.
Cakalli solli edhe një moment personal nga udhëtimi i tij, duke treguar një bisedë prekëse me një qytetar shqiptar në avion. Ku qytetari i kishte thënë se nuk mund të merrte pjesë në protestë pasi do të shkonte të varroste nënën e tij në Korçë, ndërsa më herët kishte ardhur në Shqipëri vetëm kur i kishte vdekur babai. Cakalli e solli këtë si një reflektim mbi gjendjen e vendit dhe largimin e të rinjve, duke theksuar shkëputjen e diasporës nga jeta aktive në Shqipëri dhe pamundësinë për t’u angazhuar rregullisht në vendin e origjinës.
Sofokli Çakalli
Përshëndetje doktor, përshëndetje të gjithëve. Unë vij nga Saranda. Më vjen mirë që u prek edhe çështja e Butrintit, sepse ajo është një plagë për të gjithë sarandiotët dhe një nga arsyet kryesore që unë jam në protestë.
Unë jetoj dhe punoj prej 15 vitesh në Teksas. Jam kërkues shkencor në transport, në dizajn dhe në sigurinë e transportit në përgjithësi. Jam inxhinier aerohapësinor dhe gjithashtu inxhinier ndërtimi. Kam pasur eksperienca pune në disa prej kompanive më prestigjioze të botës. Shpesh do të thuhej se atëherë ndihesh i kompletuar, i arritur, por në fakt jo. Jam i pakënaqur dhe këtë e shoh edhe si një pasiguri që ka Shqipëria: shumë akademikë të arritur jashtë ndiejnë një plagë, një boshllëk, sepse nuk ndihen të afiluar apo të asociuar me Shqipërinë dhe nuk ndihen pranë instituteve akademike shqiptare.
Nuk dua të them se nuk u hapet dera, sepse unë jam munduar shumë të kontribuoj, të ftoj studentë, të bashkëpunoj me Akademinë e Shkencave që ne kemi. Të gjithë e dimë gjendjen, dhe nuk dua të jem i afiluar fare, por ka disa individë me të cilët do të doja të bashkëpunoja dhe kam trokitur në shumë raste. Edhe kur kanë dëshirë, shpesh nuk dinë as çfarë dere të hapin, sepse nuk janë të përgatitur. Dhe si unë ka shumë të tjerë; kemi një grup akademikësh në diasporë, disa grupe në fakt, por një prej më të mëdhenjve ndodhet në të njëjtin pozicion si unë.
Pse ndodh kjo? Unë them se jemi në një krizë intelektuale si vend. Dhe siç do të thoshte George Orwell troç: “Ne qeverisemi nga mediokër dhe përfaqësohemi nga idiotë.” Këtu nuk përfshij vetëm disa individë që shohim në parlamentin shqiptar, por edhe kryetarët e bashkive. Kryetarët e bashkive, që për mua janë të emëruar nga patronazhistët, kanë një nivel mediokriteti në menaxhimin e qyteteve dhe i kanë kthyer qytetet në shatra dhe, fatkeqësisht, fshatrat në varreza.
Fshatrat shqiptarë sot popullohen vetëm kur ka ceremoni mortore; vetëm atëherë ka njerëz në fshat, kur vdes dikush. Pse protestojmë për arsimin? Të lutem, edhe një minutë. Pse protestojmë për arsimin, për dijen, për kërkimin shkencor? Pse kemi marrë gaz për arsimin? Imagjinoni të marrësh gaz lotsjellës sepse proteston për plagjiaturat dhe për nivelin universitar.
Sepse zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia lidhen drejtpërdrejt me kërkimin shkencor. Duhet zhvilluar mendimi kritik. Pa arsim nuk zhvillohet mendimi kritik, dhe pa mendim kritik nuk krijohen njerëz të mirëkualifikuar dhe nuk ka vende pune të mirëkualifikuara.
Ne në Shqipëri jemi si një kuti e zbrazët: importojmë njerëz të pakualifikuar nga Filipinet dhe Nepali, ndërsa për shkak të nivelit shumë të ulët të universiteteve shqiptare eksportojmë studentë që janë të pakualifikuar edhe në vendet ku shkojnë. Nuk prodhojmë asnjë lloj kapitali intelektual.
Ka dalë një renditje e fundit e universiteteve nga QS World Ranking; në 1500 universitete të renditura në botë nuk ka asnjë universitet shqiptar. Më vjen shumë keq që të rinjtë shqiptarë shpenzojnë vitet më të bukura të jetës në universitete shqiptare, ku diploma vlen shumë pak. Janë të pakualifikuar për të hyrë në punë në Shqipëri, dhe të pakualifikuar edhe për Evropë.
Dhe do ta mbyll me një eksperiencë personale. Kur po vija tranzit nga Gjermania, sepse kam ardhur vetëm për protestën, edhe dje kam ardhur, në avion pashë vetëm pleq shqiptarë dhe pleq gjermanë; nuk kishte asnjë të ri. Në krahun tim ishte Arbeni nga Korça, i moshuar. I thashë: “Do vish në protestë?” Ishte shumë i emocionuar kur i thashë se do shkoja në protestë.
Më tha: “Jo, nuk shkoj dot në protestë sepse do shkoj të varros mamanë, më ka vdekur mamaja në Korçë.” Dhe i thashë: “Po kur ke ardhur herën e fundit?” Më tha: “Kam ardhur kur më vdiq babai.”
Por më tha gjithashtu se, nëse bëhet protestë në Korçë, do të shkonte në protestë në Korçë. Prandaj i bëj thirrje të gjithë korçarëve, të gjithë sarandiotëve, të gjithë të rinjve dhe të gjithë akademikëve t’i bashkohen protestës. Ne kërkojmë vetëm meritokraci, asgjë më shumë.