'I zunë pritë afër shtëpisë...' Sinjalizuan parcelat me kanabis, detaje pse çifti i bashkëshortëve u dhunua brutalisht
Një ngjarje e rëndë është regjistruar këtë të mërkurë në Fushë-Arrëz. Burrë dhe grua, Skënder e Bardhe Nika, janë dhunuar me sende të forta në rrugë pranë banesës së tyre në fshatin Arst.
Mësohet se Skender Nika, 55-vjeç ka qenë duke u kthyer nga puna në HEC, ku dy persona ende të paidentifikuar nga policia i kanë dalë në rrugë dhe e kanë goditur.
Bashkëshortja e tij, Bardhe Nika, 51-vjeçe ka dëgjuar zhurmën dhe ka dalë jashtë, teksa e kanë goditur edhe atë.
Çifti ka pësuar disa dëmtime dhe janë transportuar drejt spitalit, por fatmirësht janë jashtë rrezikut për jetën.
Sipas burimeve, dyshohet se çifti Nika ka sinjalizuar më herët policinë për një operacion anti-kanabis, ku u zhvillua edhe një operacion në zonë.
Policia është vënë në kërkim të autorëve për kapjen e tyre, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Fushë-Arrëz/Informacion paraprak
Më datë 17.06.2026, rreth orës 08:00, në fshatin Arst, në rrugë, dyshohet se 2 shtetas ende të paidentifikuar kanë goditur me sende të forta, shtetasit S. N., 55 vjeç dhe B. N., 51 vjeçe, të dy banues në fshatin Arst.
Si pasojë, dy shtetasit kanë pësuar dëmtime të lehta dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.