Arsenal trondit merkaton: ofertë ‘bombë’ për Julián Álvarez-in

Një lëvizje e madhe në merkato po përgatitet mes Arsenali dhe Atletico Madridi, me protagonistë dy sulmues të nivelit të lartë: Julián Álvarez dhe Viktor Gyökeres.

Sipas raportimeve nga mediet spanjolle, Arsenali ka arritur një marrëveshje të plotë me klubin madrilen për transferimin e mundshëm të sulmuesit argjentinas në Londër. Oferta e “Topçinjve” është cilësuar si e jashtëzakonshme dhe përfshin 50 milionë euro plus kartonin e sulmuesit suedez, Gyökeres.

Ky propozim i madh synon të bindë Atleticon e Diego Simeones të heqë dorë nga një prej lojtarëve më vendimtarë të skuadrës. Álvarez ka qenë një nga protagonistët kryesorë në sezonin e fundit në Ligën e Kampionëve, ku realizoi 10 gola dhe dha 4 asistime në 15 ndeshje, përfshirë edhe një gol ndaj Arsenalit në gjysmëfinale.

Nga ana tjetër, kalimi i Gyökeres në Madrid do t’i jepte Simeones një sulmues me karakteristika të forta në zonë, më të ngjashme me një “numër 9” klasik, duke plotësuar nevojat e skuadrës në fazën ofensive.

E ardhmja e Álvarez mbetet një nga temat më të nxehta të merkatos. Kujtojmë se pak javë më parë edhe Real Madridi kishte tentuar ta transferonte me një ofertë prej 150 milionë eurosh, e cila u refuzua nga Atletico.

Sulmuesi argjentinas ka qenë më herët protagonist edhe në Premier League me Manchester City-n, ku luajti nga viti 2022 deri në 2024, duke fituar trofe të rëndësishëm dhe duke u afirmuar në nivelin më të lartë europian.

Në këtë garë për firmën e tij është përfshirë edhe Barcelona, e cila sipas medieve katalanase po përgatit një ofertë rreth 135 milionë eurosh, që mund të paraqitet pas përfundimit të Botërorit.

Merkatoja verore pritet të sjellë zhvillime të reja në këtë “telenovelë” të madhe europiane.