Eksperti i Mjedisit jep shifrat alarmante: Vetëm 16% e ujrave në plazhe janë pastra, edhe Tirana shumë e ndotur
I ftuar në emisionin "Kafe Shqeto" në Syri Tv, eksperti i çështjeve mjedisore dhe turizmit, Leonard Seferi, deklaron se në Shqipëri ujërat e plazheve nuk përmbushin standardet mjedisore, pasi mbetjet e patrajtuara derdhen direkt në det për shkak të mungesës së impianteve të trajtimit. Ai thekson gjithashtu se ndotja e ajrit në Tiranë mbetet shqetësuese dhe se zhvillimi urban shpesh bëhet pa planifikimin e duhur të infrastrukturës bazë.
Seferi shprehet se faktet tregojnë se vetëm 16% e ujërave konsiderohen të shkëlqyeshme, pasi logjika e ndërtimit për përfitim të shpejtë përpara sistemimit të kanalizimeve ka sjellë një çrregullim të madh në mjedis dhe infrastrukturë.
Eksperti i mjedisit bën skanerin tronditës të situatës në vend duke cituar të dhënat e 'World Air Quality Index': Përtej fasadës me turizmin elitar, po na rrezikohet jeta. Kemi ndërtuar mbrapsht e pa kriter, pa impiante e pa kanalizime, ndërsa investimet dhe ndërhyrjet konkrete nga pushteti kanë munguar plotësisht.
Leonard Seferi
Po të jetë thjesht i turbullt dhe kurativ, ia bëjmë hallall, por problemi është se është edhe pak i ndotur dhe aty pastaj fillon dyshimi nëse është apo s’është kurativ. Janë parametrat e Bashkimit Europian, sigurisht, të cilët përcaktojnë nëse në ujërat që përdoren për plazh ka apo s’ka mbetje nga natyra apo nga dora e njeriut, në kuptimin e fjalës, përfshirë edhe mbetje të ujërave të zeza.
Po, patjetër, sepse ne nuk kemi as impiante të përpunimit të këtyre mbetjeve, përjashto dy-tre pika që kanë bërë realisht një punë të mirë në këtë këndvështrim. Duhet të ketë impiante për përpunimin ose për pengimin e derdhjes së këtyre mbetjeve, sepse shumica e vendeve i përpunojnë dhe i kthejnë në plehra kimikë që përdoren më pas edhe për bujqësi. Por këtu derdhen ashtu siç janë, drejt e në det, fatkeqësisht. Dhe gjithçka që përdoret nga dora e njeriut ndotet.
Ka dy forma për ta penguar këtë ndotje: e para, të jenë koshat dhe mbetjet e menaxhuara siç duhet, dhe njerëzit të jenë të kujdesshëm; dhe e dyta lidhet me investimet që mund të bëjnë bashkitë apo qeveria përkatëse për zonat e plazhit. Pastaj është edhe një faktor tjetër që njerëzit nuk e kanë në dorë, që lidhet me ndotjen si fenomen në përgjithësi, sepse ku ka konsum ka edhe ndotje. Në këtë rast duhet të ndërhyhet me impiante trajtimi.
Vlen të theksohet edhe diçka tjetër: para disa kohësh World Air Quality Index, që merret me cilësinë e ajrit, e ka paraqitur Tiranën si 12 herë më të ndotur se limitet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Këto ndotje vijnë kryesisht nga automjetet dhe ndërtimi, pasi industria pothuajse mungon. Në këtë prizëm, përtej çështjes turistike, ne jetojmë në këtë qytet dhe në këtë shtet çdo ditë, dhe kjo ndotje ndikon drejtpërdrejt në jetën tonë.
Përtej mënyrës se si ka vepruar pushteti, këto statistika janë tregues që këto probleme nuk janë adresuar si duhet. Ato vijnë nga burime të jashtme dhe tregojnë gjendjen reale. Çështja është nëse ka pasur ndërhyrje konkrete apo jo. Me sa duket, këto ndërhyrje kanë munguar.
Nëse vetëm 16% e ujërave konsiderohen të shkëlqyeshme dhe pjesa tjetër problematike, atëherë ose nuk është vepruar, ose nuk është rregulluar. Ne kemi një problem me qasjen ndaj mjedisit dhe asaj që na është dhënë nga natyra. Shpesh ndërtojmë përpara se të sistemojmë kanalizimet dhe ujërat e zeza, dhe kjo vërehet edhe në Tiranë.
Ndodh që ndërtimi përfundon dhe më pas kujtohemi për infrastrukturën: prishen rrugë, hapen tubacione, dhe shpesh nuk rikthehen në gjendjen e mëparshme ose rikthehen me vonesë. Kjo logjikë e ndërtimit vetëm për përfitim të shpejtë financiar ka sjellë çrregullim që në fillim.
Në parim, fillimisht duhet të planifikohet trajtimi i ujërave të zeza dhe infrastruktura përkatëse. Ka raste kur resorte ndërtohen pranë lumenjve që sjellin papastërti, dhe mungesa e trajtimit bën që të gjitha të përfundojnë në det.
Në përgjithësi, problemi është mungesa e planifikimit që në fillim dhe mungesa e monitorimit. Mund të ketë pasur disa ndërhyrje në kuadër të projekteve me Bashkimin Europian, por ato kanë qenë sporadike. E përgjithshmja mbetet mungesa e kujdesit dhe e planifikimit afatgjatë.
Kemi probleme edhe me infrastrukturën rrugore, ku shpesh ndërtohet përpara se të përfundohet infrastruktura bazë. Kjo sjell situata ku rrugët nuk lidhen si duhet me njëra-tjetrën dhe krijohen pengesa të panevojshme. Me kalimin e kohës, këto probleme grumbullohen dhe bëhen gjithnjë e më të vështira për t’u zgjidhur.