‘Brezi i ri po shemb sistemin propagandistik të pushtetit’, Nishani: Tek dorëheqja e Ramës bashkohen të gjithë…
Brezi i ri nuk është i painformuar; përkundrazi, përdorimi i pandërprerë i telefonave inteligjentë dhe rrjeteve sociale e ka shndërruar atë në një gjeneratë që informohet në kohë reale. I ftuar në emisionin “Kafe Shqeto” në syri tv Ersi Nishini, mjek kardiolog që jeton në Berlin tha gjatë bisedës me moderatorin Flavio Qarri që brezi i vjetër e sheh qëndrimin online si dobësi. Por ky zakon është kthyer në një mjet të fuqishëm për të kuptuar zhvillimet e fundit dhe për të thyer monopolet e vjetra mediatike.
Për 14 vjet, është ngritur një sistem i gjerë propagandistik përmes kontrollit të mediave kryesore për të manipuluar rrjedhën e informacionit. Megjithatë, ky mekanizëm po dështon në rrjetet sociale. Përpjekjet e kryeministrit për të tërhequr vëmendjen përmes sjelljeve të çuditshme dhe gjesteve teatrale – si rënia e tavolinës me grusht apo veprimet gjatë protestave të fundit – nuk po japin rezultatin e pritur. Qëllimi për t'u bërë qendra e vëmendjes dhe për të nxitur prodhimin e memeve, është përballur me një zemërim masiv të qytetarëve, si brenda vendit ashtu edhe në diasporë.
Përdorimi i gjuhës përçarëse dhe epiteteve të papërshtatshme nga qeveria shpjegohet me panikun e humbjes së karriges. Fati politik dhe ai personal i pushtetarëve janë të lidhur ngushtë me mbajtjen e pushtetit, veçanërisht pas zbulimit të aferave të mëdha korruptive. Kjo frikë pritet të sjellë një agresivitet të shtuar nga ana e tyre, pasi rënia e kreut të qeverisë do të shkaktonte një efekt zinxhir, duke rrëzuar gjithë strukturën aktuale.
Flavio Qarri: Kemi dëgjuar ne që brezi i ri nuk ishte aq i interesuar. Mbi të gjitha mund ta kemi paragjykuar se nuk ishte aq i informuar. Si e shikoni këtë marrëdhënie të re që po vendosin eksponentët e mazhorancës. Si e shikoni këtë distancë, këtë hendek të krijuar mes palëve?
Ersi Nishani: Shiko, brezi i ri është shumë i mirëinformuar sepse mos të harrojmë që të gjithë ne sot jemi me telefon në dorë 24 orë në ditë edhe i ndjekim të gjitha zhvillimet nëpër rrjetet sociale, qoftë në TikTok, qoftë në Instagram. Dhe megjithëse këta, le të themi brezi i vjetër, e shohin si një dobësi që njerëzit nuk kanë më atë vëmendjen, përqendrimin, po janë gjithë kohës në telefon, ka dhe të mirën e vet dhe avantazhin e vet e të qëndruarit gjithë kohës në telefon, që ti je gjithë kohës, domethënë, merr informacionin në kohë reale. Dhe, le të themi, Edi Rama ka ngritur një sistem propagandistik në Shqipëri në këto 14 vjet duke u munduar të kapi mediat kryesore, të manipulojë, le të themi, rrjedhën e informacionit, por tek rrjetet sociale e ka pak më të vështirë.
Një shembull shumë i mirë, ishte në rrjetet sociale dhe tani që filluan protestat, dhe Rama bënte ato sjelljet me gjeste shumë të çuditshme që njerëzit thoshin, 'Po ky çfarë... çfarë ka ndodhur me këtë? A ka luajtur mendsh?' Ai i bënte, le të themi, në mënyrë të vetëdijshme, si atëherë që i binte tavolinës me dorë kur u arrestua Jamarbër Malltezi apo ku di gjë unë, sepse ai donte të fitonte, le të themi, atë që njerëzit të përqendroheshin tek ai. Donte që ai të ishte fokusi. Dhe te kjo protestë ai u mundua që të bënte ato sjelljet e çuditshme që njerëzit ta klikonin, të bënin meme me atë, që të bëhej ai fokusi, le të themi, i shqiptarëve në ato ditë. Megjithatë, zemërimi i shqiptarëve në Shqipëri, por edhe në diasporë, këtu ku jemi ne, është aq i madh saqë unë mendoj që s'ka çfarë të bëjë Edi Rama. Çfarëdo që të thotë, kjo protestë do vazhdojë dhe do t'ia arrijë qëllimit të tij final. Për sa i përket, le të themi, Edi Ramës dhe njerëzve përreth Edi Ramës, të cilët përdorin këto epitete që nuk janë të përshtatshme për një shtetar që përfaqëson të gjithë popullin shqiptar, që t'i etiketojë njerëzit në të farë feje, është një shpjegim shumë i thjeshtë mendoj unë.
Edi Rama dhe njerëzit përreth tij kanë lidhur fatin e tyre jo vetëm politik por edhe fatin personal me pushtetin, me të qëndruarit në pushtet. Domethënë, edhe të gjithë këto aferat e mëdha korruptive që kanë ndodhur, kur dalin nëpër media thua si ka mundësi që kanë guxuar të shkojnë deri aty, është shumë e thjeshtë sepse ata kanë menduar që e kanë pasur derën e hapur dhe, futi dhe bjeri, si me thënë. Po tani që po ndodh kjo protestë e madhe qytetare dhe mendoj që edhe regjimi i Edi Ramës do të vijë drejt fundit, ata normalisht do bëhen gjithmonë e më shumë agresivë, sepse siç e thashë, fati i tyre është shumë i lidhur me pushtetin. Në momentin që ata humbasin pushtetin, bie i pari Edi Rama dhe bien të gjithë me efekt domino pastaj.
Flavio Qarri: Tani, kam një kuriozitet tjetër Ersi. Ka një pozicion të çuditshëm mes të rinjve që mbështesin Partinë Demokratike dhe të rinjve në shesh, edhe pjesë e asaj frymës ku ka një përpjekje për të barazuar Ramën me Berishën. Mirëpo janë të dy grupimet në shesh praktikisht. Si e zgjidhni këtë ngërç, edhe emotiv, përveçse politik?
Ersi Nishani: Unë nuk kam pasur mundësinë që të jem në Shqipëri, po ajo që më ka bërë përshtypje është që të rinjtë e Partisë Demokratike kanë qenë një ditë në fillim pjesë e protestës aty. Domethënë, në fillim kanë qenë një pjesë e vogël, pastaj është rritur, siç është rritur edhe përfaqësimi i të gjithë shqiptarëve, i të gjithë fasetave të shoqërisë shqiptare. Tani, në këtë protestë ka njerëz nga fasetat më të ndryshme të shoqërisë shqiptare, e kupton? Domethënë ka të majtë, të djathtë, nacionalistë, globalistë, vijnë nga të gjitha sferat. Ata kanë të gjithë një emërues të përbashkët dhe kjo është ajo që e tremb Edi Ramën. Është një emërues i përbashkët që është dorëheqja e Edi Ramës.
Dhe mendoj që, sado që aty mund të ketë provokime nga më të ndryshmet, mund të ketë patronazhistë të infiltruar që mundohen ta nxjerrin domethënë, ta impaktojnë, ta influencojnë narrativën në një drejtim që t'i bëjnë, t'i fusin të gjithë me një thes, e rëndësishme është që emëruesi i përbashkët i të gjithë njerëzve që janë aty është që Edi Rama të dorëhiqet, që Edi Rama të iki nga politika. Dhe duke ikur Edi Rama, bien dhe të gjithë ata të domino-t që thashë unë. Dhe mendoj që aty do të përqendrohen tek dorëheqja e Edi Ramës, nuk ka asnjë lloj konflikti. Në atë shesh ka shumë njerëz. Edhe këtu në protestat që ne zhvillojmë në diasporë ka njerëz me pikëpamje të ndryshme politike, me pikëpamje të ndryshme nga çdo lloj sfere, por e rëndësishme është që të gjithë ne jemi aty për të kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës…